Ballina Lajme Kosovë STATUSI I KOSOVËS – ÇËSHTJE E MBYLLUR

STATUSI I KOSOVËS – ÇËSHTJE E MBYLLUR

Xhelal Zejneli

Rënia e murit të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e perandorisë sovjetike, shuarja e Traktatit të Varshavës dhe zhbërja e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ) krijuan një rend ndërkombëtar të favorshëm për shqiptarët, të ndarë në gjashtë pjesë të Ballkanit. Nga ky rend ndërkombëtar përfituan, jo vetëm shqiptarët, por i tërë rajoni i Evropës Juglindore. Për statusin e Kosovës nuk mund të bisedohet po qe se nuk merren parasysh zhvillimet brenda dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Të krijuarit e shtetit të Kosovës është projekt ndërkombëtar, është produkt i një rendi ndërkombëtar që mbështetej në zgjidhjet e bazuara në të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.

Për shqiptarët statusi i Kosovës është çështje e mbyllur. Shqiptarët janë të bindur se çështja e Kosovës konsiderohet e mbyllur edhe për miqtë e tyre – Uashingtonin, Londrën dhe Berlinin. Për shqiptarët, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Shqiptarët janë të bindur se e tillë është edhe për aleatët e tyre të sipërthënë. Bisedimet në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të mbështeten në ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin në gadishull.

Nuk duhet harruar se statusi i Kosovës është konfirmuar që me Parimet udhëzuese të Grupit të kontaktit, kur katër nga pesë vendet anëtare të Këshilli të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, siç janë ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Rusia, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë parashtruan në mënyrë të qartë se Kosova duhet të mbetet shumetnike dhe se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e saj. Në këtë dokument u sanksionua po ashtu se nuk do të ketë kthim të Kosovës në gjendjen para vitit 1999, as ndarje dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër. Sovraniteti i Kosovës ndërkaq, është konfirmuar në parimet themelore të Planit të Ahtisarit, me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 si dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Tërësia tokësore dhe sovraniteti i Kosovës është realitet i pranuar nga 117 vende – anëtare të OKB-së. Kosova është anëtare e një numri të konsiderueshëm të organizatave rajonale apo ndërkombëtare. Ajo ndodhet në procesin e asociimit në BE. Pritet që së shpejti që qytetarët e Kosovës të lëvizin në mënyrë të lirë nëpër vendet e BE-së.

Pakicat në Kosovë duhet të ndjehen të lumtur se jetojnë në një shtet:

– me orientim të qartë euro-perëndimor;
– që ndjek politikë stabilizuese, konstruktive dhe paqeruajtëse në rajon;
– që ndjek politikë të fqinjësisë së mirë;

– demokratik, shumetnik dhe multikonfesional;
– në të cilin, të drejtat e pakicave respektohen sipas standardeve evropiane;
– në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve;
– që synon të ndërtohet si shtet ligjor.

Në dialogun e Brukselit midis Prishtinës dhe Beogradit, medoemos duhet të respektohet tërësia tokësore e Kosovës, forma unitare e shtetit, karakteri shumetnik dhe multikonfesional, sikundër parashikohen në Kushtetutën e Kosovës. Në dialogun e Brukselit midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të arrihet një marrëveshje edhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në pajtim me detyrimet e Serbisë si dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe me të drejtën evropiane.

Beogradi e di mirë se shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) ballafaqohen me vështirësi të shumta, si në aspektin politik e administrativ, ashtu edhe në atë zhvillimor, ekonomik e arsimor. Është detyrë e qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinë si dhe e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Brukselit që t’ia bëjnë me dije Beogradit se politika restriktive dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare.
Uashingtoni, Brukseli dhe NATO-ja kanë investuar me të madhe për të promovuar në rajon multietnicitetin dhe për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura.

Ndonëse i vështirë, ky proces nuk është edhe i pamundur. Në saje të forcës transformuese të Bashkimit Evropian, në dhjetëvjeçarin e fundit, vendet e Ballkanit kanë pësuar ndryshime të mëdha. Shmangia nga ky kurs do t’i kushtonte shtrenjtë tërë rajonit. Me fjalë të tjera, Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë cenimin integritetit territorial të Kosovës. Ajo që tanimë, në kuadër të Pakos së Ahtisarit, është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, nuk mund të ndryshohet nëpërmjet një marrëveshjeje të re.

Beogradi duhet të dijë se statusi i Kosovës nuk është çështje bilaterale, por është çështje rajonale dhe e BE-së, në të cilën kanë investuar me të madhe Uashingtoni dhe Brukseli.
Parimet e bashkëpunimit, të bashkëjetesës, të paqes, të stabilitetit dhe të harmonisë midis popujve dhe shteteve nënkuptojnë zbutjen, shkrirjen apo edhe heqjen e kufijve shtetërorë, sidomos të atyre etnikë. Politika serbe pretendon të imponojë kufij të ri në një kohë kur me integrimin e vendeve të rajonit në familjen e madhe të demokracive perëndimore kufijtë bëhen të parëndësishëm.

Një politikë e tillë është retrograde dhe anakronike, cenon stabilitetin e rajonit dhe vë në dyshim parimet primordiale të BE-së cilat frymojnë që nga themelimi i saj.
Diplomacinë mashtruese serbët e kanë ngritur në mjeshtri. Kontaktet me këtë diplomaci mashtruese, në të cilën gënjeshtra e kulluar shitet si e vërtetë e pakontestuar, nuk u bëjnë nder kancelarive të caktuara evropiane.

E mbështetur nga Moska, Serbia s’ka pse të ledhatohet edhe nga shtete të caktuara të kontinentit të vjetër, të cilat vitet e fundit investojnë me të madhe në Serbi, në këtë Serbi e cila në vitet ’90 të qindvjeçarit XX shkaktoi katër luftëra në ish-Jugosllavi, nuk u pendua, nuk kërkoi falje dhe nuk pagoi zhdëmtim.

* * *
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit – në emër të paqes dhe të stabilitetit – është ndërmarrë, jo për të ndryshuar realitetin, por për të zhvilluar procesin e njohjes së tij. Njohja e këtij realiteti është conditio sine qua non për integrimin evropian të Serbisë. Çfarëdo shmangieje nga ky realitet ngrit tensione dhe retorika populiste. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë në gadishull.

E kaluara historike e Ballkanit është e lidhur me ndryshime kufijsh, me spastrime etnike dhe me shpërngulje të dhunshme të popujve. Ndryshimi i kufijve gjithmonë ka qenë i shoqëruar me urrejtje, me armiqësi dhe me luftëra. Ndryshimi i kufijve cenon parimet themelore të sanksionuara me Kartën e Helsinkit dhe të Parisit apo të OSBE-së për sigurinë në Evropë. Me dokumentet e sipërthëna respektohet parimi i mosndryshimit të kufijve.

Perspektivë e vendeve të Ballkanit Perëndimor është, jo ndryshimi i kufijve por integrimi në organizmat euro-atlantikë. Duke njohur Kosovën, Serbia fiton të ardhmen e saj evropiane. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë kusht i pashmangshëm i procesit të integrimit. Beogradi duhet tajë se njohja e Kosovës është parakusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, të parashikuar me Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e saj.
Arritja e një marrëveshjeje në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ia çel rrugën e integrimit edhe Kosovës. Hyrja e Kosovës në BE është interes i të gjithë qytetarëve të saj, pra edhe i pakicës serbe.

Kryetari serb – A. Vuçiq shkon në Bruksel për dy qëllime:

– të imponojë ndryshimin e kufijve të jashtëm të Kosovës; ose
– të krijojë kufij të brendshëm në Kosovë.

Me fjalë të tjera, Beogradi shkon në Bruksel me kërkesën maksimale të ndarjes së Kosovës. Duke e ditur se kjo është e pamundur, atëherë do të tentojë të imponojë “kompromisin” për krijimin e entitetit serb në Kosovë, d.m.th. formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Me krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe do të krijohej një republikë serbe në Kosovë, e cila pas një kohe shumë të shkurtër do të ndërmerrte hapat e shkëputjes nga Kosova dhe të bashkëngjitjes Serbisë.

Në Bruksel nuk mund të flitet për territore. Nga dialogu i Brukselit, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga ShBA-ja, duhet të rezultojë:

– njohja e Kosovës nga Serbia;
– përcaktimi i përgjegjësisë së Serbisë për shfrytëzimin kolonial të Kosovës që nga viti 1912 deri në vitin 1999;
– përcaktimi i përgjegjësisë së Serbisë për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve që nga viti 1877 deri në vitin 1974 dhe që nga viti 1981 deri në vitin 1999;

– përcaktimi i përgjegjësisë së Serbisë për deportimin e shqiptarëve për në Anatoli, në përputhje me elaboratet e Çubrilloviqit;
– përcaktimi i përgjegjësisë së Serbisë për luftën pushtuese të vitit 1998-1999;

– përcaktimi i përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999;
– detyrimi i Serbisë për t’i paguar Kosovës reparacion lufte;
– miratimi nga Kuvendi i Serbisë i një rezolute me të cilën Serbia do t’u kërkonte falje shqiptarëve për politikën kolonialiste, për gjenocidin, për deportimet për në Turqi, për luftën pushtuese, për krimet e luftës.

Pjesë e dialogut të Brukselit duhet të jetë edhe detyrimi i Beogradit për t’u siguruar shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) të drejta kombëtare në përputhje me standardet evropiane. Atë që ua siguron Kushtetuta e Kosovës pakicave në Kosovë, të njëjtat t’ua sigurojë Kushtetuta e Serbisë shqiptarëve të Preshevës, të Bijanovcit dhe të Medvegjës. Nuk mund të kërkosh për vete ato të drejta që nuk ua njeh të tjerëve.

Vetëm kësisoj, marrëveshja ndërmjet palëve do të çlironte energji pozitive, do të ndihmonte frymën e bashkëjetesës dhe të harmonisë dhe do të shëronte ndjenjën e urrejtjes, të mbjellë nga e kaluara.

Loading...