Ballina Sport Shqipëria do “parkojë autobusin” sot përballë Skocisë

Shqipëria do “parkojë autobusin” sot përballë Skocisë

Përfaqësuesja shqiptare do të zhvillojë mbrëmjen e kësaj të hëne në Glasgoë ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, përballë Skocisë, kundërshtari tjetër i grupit tonë që është i përbërë nga lojtarë të marrë nga vetëm 3 ekipe.

Pas suksesit të siguruar dy ditë më parë në “Elbasan Arena”, trajneri Christian Panucci duket se ka marrë sinjale pozitive nga disa lojtarë, e si rrjedhojë nuk ka ndryshuar shumë në formacionin e tij për mbrëmjen e sotme.

Ajo që bie më shumë në sy është se, edhe për ndeshjen kundër Skocisë, kapiteni i përfaqësueses Ansi Agolli me sa duket thjesht bëri paraqitjen e tij në konferencën për shtyp, pasi Binaku e ka bindur italianin për të qenë ai nga minuta e parë në fushë.

Por, ndryshe nga ndeshja e parë, këtë herë mbrojtja mendohet se do të jetë me 5 lojtarë, duke i shtuar dyshes së qendrës, Gjimshiti dhe Veseli, edhe Mërgim Mavrajn. Një zgjidhje kjo me disa centimetra më shumë në gjatësi, me 3 qendërmbrojtës, për të mbuluar disi lojën në ajër të kundërshtarëve, të cilët e kanë këtë një pikë të fortë.

Ndërkohë, reparti i mesfushës mbetet i njëjtë me Xhakën, Memushajn dhe Bashën, një treshe që funksionoi mirë në ndeshjen ndaj Izraelit, ndërkohë që Hyka do të jetë menjëherë pas Bekim Balajt, i cili me sa duket e ka bindur më tepër Panuccin sesa Sindrit Guri, që filloi ndeshjen me Izraelin nga minuta e parë.

Në pamje të parë duket një skemë 5-4-1, por që sigurisht detyrat që jep trajneri për secilin lojtar mund të modifikojnë skemën në varësi të momenteve të ndryshme të takimit.

Megjithatë, duket se Shqipëria do të jetë një skuadër më e kujdesshme dhe e rreshtuar më shumë mbrapa, me synimin ndoshta për të marrë një barazim, i cili do të ishte gjithsesi një rezultat pozitiv për kuqezinjtë, që mund ta gjejnë veten me 4 pikë pas dy ndeshjeve të para.

Moti me shi dhe temperaturat shumë të ulëta do të jenë një problem më vete, në një stadium si “Hampden Park”, i konsideruar nga më të “frikshmit” e Europës për nga atmosfera që krijohet, edhe pse nuk do të jetë i mbushur plot.

Loading...