Ballina Aktualitet Lajme Referendumi, zyrtarë rusë po qëndrojnë në Shkup? (VIDEO)

Referendumi, zyrtarë rusë po qëndrojnë në Shkup? (VIDEO)

Zyrtar të lartë rusë kanë ardhur në Maqedoni në prag të referendumit. Alsat M nga burime brenda organeve të sigurisë mëson se disa zyrtarë nga Rusia tashmë disa ditë frekuentojnë nëpër Maqedoni. Ndonëse aktivitete e tyre zyrtarisht nuk janë të njohura, jo zyrtarisht mësohet se veprimi i tyre mund të jetë angazhimi kundër referendumit. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se personat janë të njohur për organet por që nuk ndajnë detaje se cili konkretisht është aktiviteti i tyre: takime me qytetarë, përfaqësues politik apo veprime propagandistike dhe shpërndarje të dezinformatave.

Qëndrimi i Federatës Ruse ndaj referendumit për emrin u ashpërsua pak ditë më parë, kur përfaqësia diplomatike në rrjetet sociale thumboi vizitat e përfaqësuesve ndërkombëtar në Maqedoni dhe thirrjet e tyre për dalje në referendum. Organet vendase nuk komentuan qëndrimin rus. Hesht edhe Departamenti për analiza dhe hulumtime pran Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim. Nga MPB, respektivisht DSK-ja nuk ndajnë detaje rreth analizave për ndikimin rus, intensifikimin e mundësh të aktiviteteve ruse dhe indikacione kërcënuese ndaj referendumit. Dikasteri i Brendshëm kumton shkurt se gjithçka ka nën kontroll.

Në kuadër të kompetencave ligjore, ministria e Brendshme ka ndërmarrë masat e duhura me qëllim që procesi i referendumit të kalojë sa më mirë – njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Informacionet i demanton edhe përfaqësia diplomatike e Federatës Ruse në Maqedoni.

I hedhim poshtë të gjitha spekulimet për ndërhyrje të qëllimshme të Rusisë në punët e brendshme të Maqedonisë ose çfarëdo agjende të fshehur politike. Ambasada punon rreptësisht në përputhje me Konventën e Vjenës për marrëdhënie diplomatike dhe praktikën ndërkombëtare për komunikime ndërshtetërore. Interesi kryesor i Federatës Ruse në Maqedoni është ruajtja e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial. Nuk kemi informacione për persona të tillë. Duam të potencojmë se në Maqedoni asnjë parti, organizatë shoqërore-politike dhe as persona të caktuar nuk kanë të drejtë të thirren në emrin e Rusisë – thonë nga Ambasada e Federatës Ruse në Shkup.

Të dhënat që kemi siguruar flasin për numër rekord të hyrjes së shtetasve rus dhe ukrainas në Maqedoni gjatë muajit korrik. Rreth 5400 rus dhe 6000 ukrainas janë futur në Maqedoni pa përcaktim kohorë. Ndonëse numri më i madh i tyre janë paraqitur si turistë, një përqindje e madhe flet për persona që kanë ardhur për aktivitete: politike, kulturore, fetare, pjesëmarrje në kongrese, trajnime apo seminare si dhe për tregti dhe bashkëpunime nga natyra të ndryshme. Një raport që ka siguruar televizioni Alsat M i Departamenti për analiza dhe hulumtime pran DSK-së jep të dhëna shqetësues. Në të thuhet se kryesisht pas viti 2016, grupe të organizuara e kryesisht ish agjent të KGB-së ruse kanë kryer aktivitete politike dhe fetare në Maqedoni, duke mos lën anësh fushatën propagandistike.

Duke pasur parasysh strategjinë e Rusisë për Ballkanin për neutralitet luftarak, mbi gjitha vendet ortodokse, interes të veçantë ka shfaqur politikat shtetëror në drejtim të anëtarësimit në NATO. Me qëllim përfitimin e “simpatisë” tek opinioni maqedonas, diplomatët rus ushtrojnë politika të “rrënjëve sllave” ku pa ndërpre potencohen lidhjet tradicionale, historike dhe fetare si dhe kultura e përbashkët e popullit maqedonas dhe atij rus – thuhet në Raportin e Departamentit për analiza dhe hulumtime në DSK.

Në raport konstatohet funksionimi i organizatës ruse FSSB në Maqedoni dhe disa aktivitete të saj në Manastir, Dibër dhe Shkup. FSSB-ja, sipas raportit ka bashkëpunim edhe me organizatat simotra të saj në rajon si Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi. Shqetësime për ndikimin rus në Maqedoni shprehu edhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Xhejms Metis i cili pak ditë pas qëndrimit të ambasadës ruse, në një intervistë për një media ndërkombëtare theksoi se është i shqetësuar për ndikimin e mundshëm të Rusisë në procesin e referendumit dhe gjatë procesit të votimit.

Adrian Kerimi

@tn.lajmelokale
@tetovanews