Ballina Bota Analiza Natyra tiranike e nacionalizmit

Natyra tiranike e nacionalizmit

Nga Harley Austin

Përgjatë gjithë historisë, nacionalizmi, i përcaktuar si besnikëri dhe përkushtim ndaj kombit, ka qenë mjet i zgjuar i qeverisë për të prodhuar pëlqyeshmëri nga popullata. Pavarësisht luftërave, taksave, imperializmit, spiunimit ose censurës, tirania e qeverisë mund të mbështetet gjithmonë tek nacionalizmi i verbër, për të larguar vëmendjen nga shkeljet e të drejtave individuale.

Me “patriotizëm”, unë nënkuptoj përkushtimin ndaj një vendi të caktuar, dhe një mënyre të veçantë të jetesës, që besohet të jetë më e mira në botë, por që nuk dëshirohet t’u imponohet njerëzve të tjerë. Patriotizmi, është i natyrës mbrojtëse, si në rrafshin ushtarak, ashtu edhe atë kulturor.

Ndërkohë, nacionalizmi, është i pandashëm nga dëshira për pushtet. Sikurse thotë Xhorxh Oruell, “qëllimi i qëndrueshëm i çdo nacionalisti, është të sigurojë më shumë pushtet dhe më shumë prestigj, jo për vete, por për kombin ose njësinë tjetër, në të cilën ai ka zgjedhur të zhysë individualitetin e tij”.

Një gjë që shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë, është se ka një ndryshim të madh midis patriotizmit dhe nacionalizmit. Patriotizmi është dashuria ndaj një vendi, kryesisht kulturës, tokës dhe njerëzve të tij. Ndërkaq, nacionalizmi është dashuria, zakonisht në formën e fanatizmit, ndaj kombit, që do të thotë që qeveria sundon falë tij.

Ndërsa patriotët e trajtojnë vendin e tyre me respekt, dhe zakonisht mendojnë për veten e tyre, në vend se të ndjekin verbërisht propagandën, nacionalistët adhurojnë qeverinë, zakonisht të llojit tiranik, që e rrënon në mënyrë aktive vendin e tyre. Dhe kjo për shkak se nacionalistët mendojnë se qeveria është vetë vendi, ose të paktën manifestimi i tij, dhe se të gjithë ata që kundërshtojnë dekretet e saj, kundërshtojnë në fakt vendin.

Patriotët, janë zakonisht të gatshëm të luftojnë kundër një qeverie tiranike, që kërcënon të drejtat e tyre. Për dallim, nacionalistët hipnotizohen lehtësisht nga të gjitha propagandat, politikat dhe gënjeshtrat e qeverisë së tyre. Ata pastaj manipulohen lehtësisht duke hequr dorë nga të drejtat, privatësia, armët dhe paratë e tyre ndaj qeverisë, duke menduar verbërisht se po sillen si “qytetarë patriotë”.

Nacionalistët vazhdojnë të adhurojnë qeverinë dhe simbolet e saj, përmes lavdërimeve të pafundme, adhurimit të flamurit dhe besimit se është një qenie e gjithfuqishme ajo që sjell liri dhe prosperitet (kur në fakt, ajo i shkatërron aktivisht të dyja këto).

Pastaj, me një dorë në zemër dhe sytë e tyre mbi flamurin, do të heqin me kënaqësi dorë nga fëmijët e tyre për luftëra të pakuptimta imperialiste, nga paratë e tyre për pagesat e tiranëve, armët e tyre për “sigurinë e kombit”, dhe privatësia e tyre për “luftën ndaj terrorizmit”.

Nuk është çudi pse nacionalizmi i popullarizuar, ka ka sjellë gjithnjë tirani:nga kombet feudale të Europës mesjetare, dhe deri tek Amerika moderne. Nacionalizmi, është në thelb një “çek i bardhë” për qeverinë, që ajo të marrë sa më shumë pushtet që dëshiron.

Me shtrembërimin e madh të realitetit të njohur si nacionalizëm, mercenarët imperialistë të qeverisë bëhen “patriotë që luftojnë për lirinë tonë”, dhe ushtria e saj të tepërt dhe policia e militarizuar, bëhen simbol i “krenarisë dhe forcës kombëtare”.

Në dekadën e fundit, nacionalizmi ka gjetur një metodë të re të popullarizimit të vetes, në mesin e gjeneratës aktuale. Në vend të propagandës masive të shekullit XX-të dhe të periudhës pas sulmeve të 11 Shtatorit, nacionalizmi u përdor si një mjet për të luftuar gjoja “globalizmin”.

Kjo ka krijuar ndarjen e rreme nacionalizëm vs globalizëm, që është ironike për shkak të statistikave problematike të të dyjave. Dhe ashtu si me shumicën e kundërvënieve të rreme, kjo gjithashtu rezulton në zgjerimin e statizmit në të dyja mënyrat.

Globalizmi, është ndoshta një term i njohur për shumicën e njerëzve. E megjithatë, nacionalistët e kanë ripërcaktuar krejtësisht këtë term, për të mishëruar gjithçka që ata përbuzin. Globalizmi në përgjithësi, nënkupton zgjerimin e politikave të huaja dhe ekonomike në një shkallë globale, e cila zakonisht nënkupton vetëm tregtinë e ndërlidhur nëpërmjet marrëveshjeve dhe organizatave si Bashkimi Europian.

Ndonëse kanë vetë defekte të shumta, nacionalistët i shtojnë një kuptim krejtësisht të ri globalizmit, në mënyrë që të krijojnë armikun e tyre. Ndërsa nacionalistët janë në favor të kufijve të mbyllur, të proteksionizmit dhe konceptit të tyre të “mbrojtjes së kombit”, globalistët

e supozuar, të cilët janë zakonisht një formë e elitës së pasur, plus çfarëdolloj komploti nacionalistësh që vendosin të përfshijnë, mbështesin kufijtë e hapur, dhe shkatërrimin e kombeve.

Sidoqoftë, ky konflikt patetik nuk bën tjetër, përveçse zgjeron fuqinë e qeverisë. Derisa këta nacionalistë pretendojnë të luftojnë ”elitën globaliste” dhe “shtetin e tyre të thellë”, qeveria merr një leje të plotë për të zgjeruar fuqinë e saj, nëpërmjet rregulloreve kufizuese të kufijve, rritjes së shpenzimeve ushtarake, dhe rritjes së ndërhyrjes së huaj.

Ç’është më e keqja, nacionalistët besojnë se janë individë që besojnë tek liria. Ata mendojnë në njëfare mënyre, se pikëpamjet e tyre jashtëzakonisht kolektiviste mbi kombin, dhe mungesa e rëndësisë të së drejtave individuale, është duke e mbrojtur individin, ndërsa globalistët po përpiqen të tiranizojnë.

Por në përpjekje për të luftuar tiranistët, ata në mënyrë të pashmangshme e mbështesin tiraninë e tyre të vërtetë, duke tërhequr fijet e e tyre:qeverinë. Për të mos përmendur faktin, se ideja për ta bërë Amerikën xhandarin e botës, dhe për të mbështetur luftëra të panumërta të panevojshme, është më shumë globaliste se sa çdo kufi “i hapur”.

Nëse nacionalizmi dhe globalizmi, nuk janë në kundërvënie mes tyre, atëherë kjo nënkupton ekzistencën e një tjetër mundësie. Zgjidhja është e thjeshtë:individualizmi. Në vend që t’i sakrifikojmë të drejtat individuale në emër të “kombit” ose “botës”, zgjidhja e vërtetë nuk shkel të drejtat tona si individë.

Ne duhet të ndalojmë përhapjen e propagandës statistikore të identiteteve kolektive, dhe të fillojmë të jetojmë dhe mendojmë për veten tonë. Vetëm atëherë do t’i japim fund statizmit, injorancës dhe tiranisë së nacionalizmit.

Burimi: 71Republic

Në shqip nga bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews