Ballina Aktualitet Lajme Eurodeputetët: Nuk mendojmë për plan B, presim epilog pozitiv nga referendumi

Eurodeputetët: Nuk mendojmë për plan B, presim epilog pozitiv nga referendumi

Eurodeputetët, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn i apeluan qytetarëve që të mbështesin referendumin e 30 shtatorit, pasi një gjë e tillë sipas tyre, do të ndikojë pozitivisht në të ardhmen e vendit. Eurodeputetët madje paralajmëruan se në rast të dështimit Maqedonia do të vazhdojë ti ketë të njëjtat probleme që ka pasur deri tani në rrugën drejt BE-së.

Do tju apeloja qytetarëve të Maqedonisë të marrin pjesë në referendum. Për shkak të rëndësisë së këtij referendumi ata duhet të informohen plotësisht se çfarë pasoja do të ketë vota e tyre. I ftoj të votojnë pozitivisht. Është në duar të secilit qytetar se si do të votojë dhe vendimi do të jetë i popullit të Maqedonisë – deklaroi Eduard Kukan, Eurodeputet.

Nuk ka të bëjë me atë se a është e mirë ose e keqe Qeveria, as me atë se kush do të ketë pushtet 4 vitet e ardhshme, kjo ka të bëjë me zgjidhjen e një problemi dhe një mendim që do të ndikojë në të ardhmen e familjeve, fëmijëve dhe nipërve e mbesave tuaja. Miqve të mi në Maqedoni iu them “Ju lutem shkoni dhe votoni. Mos thoni se nuk ju intereson. Është shumë e rëndësishme, sepse për 27 vjet kishte një konflikt që e pengonte procesin dhe tani kemi mundësinë të fillojmë negociatat vitin e ardhshëm – tha Knut Flekenshtajn, Eurodeputet.

Flekenshtajn tha se pos referendumit të suksesshëm, për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE vendi do të duhet t’i zbatojë reformat e nevojshme. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi u shpreh optimist se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe theksoi se pas saj, vendi do të fokusohet në reforma për çka do të jetë i nevojshëm dialogu dhe konsensusi politik.

Më 30 shtator kur besoj se qytetarët do të votojnë për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, mos të lejojmë të na ngre triumfalizmi në ajër dhe të vazhdojmë në mënyrë shumë më intensive të punojmë në realizimin e qëllimeve tona strategjike. Dhe, pasi kjo nënkupton një sërë reformash për të cilat do të duhet patjetër të arrijmë konsensus nacional – theksoi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Pas takimeve që realizuan në Shkup, eurodeputetët paralajmëruan vazhdimin e “Dialogut Zhan Mone” dhe u shprehën të kënaqur që edhe opozita ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë. Sipas tyre, takimi i dytë do të mbahet në dhjetor ose janar të vitit të ardhshëm. Ndërkohë do të vazhdojnë konsultimet për listën e temave që do të diskutohen në takim, disa prej të cilave do të lidhen me punën e përgjithshme të Kuvendit dhe çështjet e sigurisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews