Ballina Bota Analiza ANALIZA/ Brexit: Shifrat e tmerrshme të një katastrofe të mundshme

ANALIZA/ Brexit: Shifrat e tmerrshme të një katastrofe të mundshme

Nga Peter Müller & Jörg Schindler

Janë orët e hershme të mëngjesit të 30 marsit 2019, dhe katastrofa nis të shpaloset ngadalë. Radiot britanike, raportojnë për bllokimin e trafikut në portet e trageteve në Dover dhe Folkstoun. Fluturimet nga Hithrou, Getuik dhe aeroportet e tjera në kontinent janë anuluar.

Është e shtunë, ndaj tregjet e aksioneve janë relativisht të qeta. Së paku tani për tani. Megjithatë 2 ditë më vonë, paundi zhvlerësohet, duke ulur çmimet e aksioneve të kompanive britanike. Të alarmuar nga raportimet mediatike, britanikët fillojnë të zbrazin raftet e supermarketeve. Pikat e karburanteve, fillojnë të mbeten pa naftë dhe benzinë. Zonat e largëta si Kornuoll ose Skocia, shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Pas vetëm një jave, spitalet raportojnë mungesën e barnave jetike. Vijnë raportet e para të vjedhjeve dhe plaçkitjeve masive. Duke pasur parasysh transportin masiv dhe kaosin e trafikut, policia është kaq shpërndarë sa që nuk e di se çfarë duhet të bëjë tjetër, duke kërkuar ndihmën e ushtrisë.

Ndërkohë, qeveria në Londër vetëm sa i shikon ngjarjet që zhvillohen, pa mundur të japë ndonjë ndihmë, pasi të gjithë janë shumë të zënë për të luftuar për mbijetesën e tyre politike. A është ky skenari që do të ofrojë Brexit, kur të ndodhë në më pak se 200 ditë nga tani?

E vërteta është se askush nuk e di. Mbeten edhe 3 muaj për qeverinë britanike dhe BE-në, për të negociuar një zgjidhje divorci, që do të parandalojë një katastrofë humanitare, ekonomike dhe politike në të dy anët e Kanalit Anglez.

Në mes të dhjetorit, Londra dhe Brukseli duhet të paraqesin një marrëveshje shumë komplekse të daljes, si dhe një deklaratë të gatshme për t’u nënshkruar, për marrëdhëniet e ardhshme midis Britanisë dhe BE. Ky është afati kohor që duhet të përmbushet, për t’i dhënë kohën e mjaftueshme 28 parlamenteve kombëtare, për t’u shprehur mbi marrëdhëniet e ardhshme me Britaninë, siç kërkohet nga traktatet e BE-së.

E megjithatë, e vetmja gjë që është paraqitur deri më tani është Propozimi Chequers nga kryeministrja britanike Tereza Mej – një propozim që Brexiteers, Remainers dhe burokratët e BE në Bruksel e kanë refuzuar njëzëri. Me fjalë të tjera koha po mbaron. E megjithatë, gjysma e Britanisë preferon të fokusohet tek lidhjet jashtëmartesore të ish-sekretarit të jashtëm Boris Xhonson.

Ndaj nuk është çudi, që udhëheqësit e biznesit, mjekët, punonjësit e qeverisë dhe të gjithë të tjerët po nervozohen. Një numër gjithnjë në rritje i planeve të emergjencës po prodhohen, të gjithë duke u përqendruar në atë që mund të ndodhë nëse Britania del nga BE pa një marrëveshje – dhe shumë nga ato plane vijnë nga vetë qeveria.

Të gjitha ato, duket se arrijnë në të njëjtin përfundim:Pa “asnjë marrëveshje”, Brexit do të jetë i tmerrshëm për të ardhmen e afërt të Britanisë. Duke besuar se kufijtë e brendshëm europianë do të mbeten të hapura, dhjetëra mijëra kompani në Britani dhe në kontinent, kanë shpenzuar dekada duke krijuar dhe vazhdimisht duke përmirësuar zinxhirët e furnizimit përgjatë Kanalit Anglez.

Është e mundur të shihet saktësisht se çfarë do të thotë kjo në Portin e Roterdamit, një nga portat më të rëndësishme në Europë për Britaninë. Rreth 10.500 anije me mallra çdo vit dërgohen në Britani të Madhe. Dhe në kushtet aktuale, një inspektim i shkurtër i kamionëve mundëson qarkullimin normal të tregtisë.

Por Roel vant’t Veld, një koordinator i Brexit në zyrën doganore holandeze, vë në dukje se nëse Britania do të kthehet në një vend të tretë, pra një vend jo i BE-së, importuesit dhe eksportuesit do të duhet të plotësojnë deri në 9 dokumente shtesë. Kompanitë britanike të anijeve në anën tjetër të kanalit, kanë bërë tashmë llogaritjet.

Dhjetë mijë kamionë të rëndë, kalojnë nëpër Portin e Doverit çdo ditë. Shumica e tyre, përpunohen në më pak se 2 minuta. Sipas kompanive të anijeve, vetëm 2 minuta më shumë për çdo kamion, do të sjellë një bllokim trafiku prej 30 kilometrash. Por realiteti, është se kontrollet mund të kërkojnë deri në 45 minuta, në rastin e një Brexit pa marrëveshje.

Qeveria britanike ka filluar planifikimin e transformimit të autostradave të tëra në juglindje në parkingje të mëdha kamionësh, nëse do të ndodhë ky skenar. Kompani të panumërta, gjenden në një situatë të ngjashme, dhe megjithatë duket se nuk askush nuk ndodhet që t’i ndihmojë.

“Në rastin e mosarritjes së një marrëveshjeve, dhjetëra mijëra biznese të vogla dhe të mesme, do të rrënohen brenda natës”- thotë Kerolin Feirbairn, drejtore e përgjithshme e Konfederatës së Industrisë Britanike (CBI). “Askush nuk duhet të nënvlerësojë seriozitetin e situatës”.

Kompanitë e mëdha, kanë shpenzuar tashmë shuma të mëdha parash për Ditën Brexit. Kompani farmaceutike si AstraZeneca dhe Novartis, kanë filluar të shtojnë sasinë e barnave që kanë në magazine e tyre. Zinxhirët e mëdhenj të furnizimit me ushqime, kanë kërkuar gjithashtu nga furnitorët e tyre të krijojnë rezerva të mallrave të ndryshme.

Edhe prodhuesi i avionëve “Airbus”, dëshiron të ketë pjesë të mjaftueshme të avionëve në magazinë deri në fund të marsit, për të pasur punë deri në 1 muaj. “Kjo nuk është as e lirë dhe as e lehtë për t’u bërë”- thotë Tom Uilliams, zyrtari kryesor i kompanisë, me përgjegjësinë për operacionet e përditshme.

“Ne nuk prodhojmë mikroçipë – po flasim për përbërës, disa prej të cilave janë mbi 30 metra të gjatë”. Ai e vlerëson koston e këtyre masave në qindra miliona euro. Me 15.000 punonjës, sipërmarrja e përbashkët evropiane “Airbus”, është një nga punëdhënësit më të mëdhenj të Britanisë së Madhe, me prodhimin e krahëve për të gjithë avionët Airbus që po ndërtohen në vend.

Ai thekson se duhet të jetë e qartë, që ky proces nuk do të prekë vetëm fabrikat e Airbus në Britani, por edhe në degët e saj kryesore në Hamburg dhe Tuluzë. “Brexit nuk është vetëm një problem britanik – ai është edhe një problem europian”.

Kohët e fundit, kreu i qeverisë lokale në rajonin e Flandrës në Belgjikë, tha se një dështim i mundshëm i negociatave mbi Brexit, është një “recetë për katastrofën”. Ai thotë se 28.000 vende pune në rajon, mund të kërcënohen menjëherë nga largimi i Britanisë nga BE pa asnjë marrëveshje.

Në veçanti, janë fqinjët më të afërm të Britanisë – të udhëhequr nga Irlanda, por gjithashtu edhe Holanda, Danimarka dhe rajonet bregdetare të Francës – ato që do të përjetonin probleme të konsiderueshme në fillim. Në të gjitha këto vende mungon kapaciteti i magazinimit, hapësira e duhur për kamionët, nëpunësit doganorë dhe personeli shtesë.

Më vonë, do të godiste edhe vendet si Hungaria apo Republika Çeke me forcë të plotë. Think- tanku Oxford Economics, vlerëson se mungesa e një marrëveshje, do të çonte në një humbje ekonomike prej 112 miliardë eurosh për të 27 vendet e BE-së deri në vitin 2020.

Dhimbja do të ishte edhe më e madhe për Britaninë e Madhe, për të cilën ekspertët parashikojnë të pësojë një humbje prej 140 miliardë eurosh. “Nga këndvështrimi ynë, pasojat mund të jenë edhe më të rënda, sesa ato për të cilat qeveria britanike po e përgatit popullin e vet” thotë Joakim Lang, drejtor i përgjithshëm i Federatës së Industrive gjermane (BDI).

“Ne do të ishim në gjendje ta kapërcenim krizën, pasi kemi europianët e tjerë në BE, por britanikët do të mbeteshin vetëm”. Por vetëm shifrat e papërpunuara, nuk shkojnë aq larg sa të ilustrojnë se sa thellë mund të trondisë Britaninë ky skenar.

Pak njerëz besojnë se britanikët, do të ishin thjesht të gatshëm të pajtoheshin me realitetin e rafteve të zbrazët, çmimeve stratosferike të perimeve, mishit dhe benzinës, dhe kaosin në spitale, në rrugë dhe në aeroporte. Kompanitë si Amazon kanë filluar të paralajmërojnë mundësinë e “trazirave civile”.

Qeveria pretendon se nuk ka plane për të përdorur ushtrinë. Por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Kohët e fundit, një dokument policor konfidencial u zbulua në media, ku thirrjet për ndihmën e ushtrisë përshkruheshin si një “mundësi reale”. A nuk është realisht mungesa e një marrëveshje “më e mirë se sa një marrëveshje e keqe”, siç pretendon gjithnjë e më shpesh Tereza Mej?

Ka shenja në rritje, që ajo nuk i beson më as vetes. Kur të udhëtojë këtë javë në Salzburg, ku liderët e BE do të mbajnë një samit jozyrtar, zonja Mej do të jetë atje si një përgjëruese që nxit një marrëveshje të minutës së fundit.

Por për të arritur këtë marrëveshje, ajo do të duhet të bëjë lëshime të mëtejshme. Dhe kjo është edhe dilema e saj, sepse sa më tej e shtyn pozitën e saj në drejtim të BE-së, aq më shumë do të distancohet nga linja e ashpër që mbështet Brexit në Partinë Konservatore, dhe që ka fuqinë e mjaftueshme për të bllokuar çdo marrëveshje.

( “Der Spiegel International” Bota.al)

@tn.lajmelokale
@tetovanews