Ballina Aktualitet Opinione «Vrite, vrite shqiptarin», «ndaloja shqiponjën»: Këto thirrje të marra nuk do të...

«Vrite, vrite shqiptarin», «ndaloja shqiponjën»: Këto thirrje të marra nuk do të kenë sukses

Ndërsa fëmijët zviceranë, familjet e të cilëve mbajnë mbiemrin Müller e Meier prej se është kurdisur dynjaja, bëjnë shqiponjën me entuziazëm, britmat e shtypit zhurmues të Beogradit dhe të ndonjë shqiptari të etur për protagonizëm do të mbesim vetëm – britma joserioze.

Nga Enver Robelli

Gjatë luftës në Zhegër janë vrarë 13 civilë dhe janë shkatërruar 410 shtëpi. Mijëra familje janë dëbuar, duke kërkuar shpëtim në Maqedoni dhe në Shqipëri. Si shumë fshatra të Kosovës edhe Zhegra falë ndihmës edhe nga diaspora i ka sanuar dëmet e luftës. Si në çdo fshat të Kosovës edhe këtu njerëzit ankohen për mungesë perspektive, por tash është një milion herë më mirë se në vitin 1991, kur një patrullë policore serbe mund të terrorizonte një fshat të tërë.

Duhet pasur parasysh historinë më të re të Kosovës për të kuptuar përse futbollistët shqiptarë të Zvicrës e bëjnë shqiponjën. Nëse 90 minuta ultranacionlaistët serbë në Kaliningrad çirren «Vrite, vrite shqiptarin», atëherë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do ta tregojnë shqiponjën, natyrisht pasi më parë kanë goditur me grusht kryqin e Zvicrës në gjoks. Bërja e shqiponjës i tmerron shumë serbë nacionalistë për shkak se ua kujton dështimin e projektit për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës. Futbollistët shqiptarë që e bëjnë shqiponjën i përgjigjen në mënyrë kreative ideologëve fashistë të Beogradit si Dobrica Qosiq. Në vitin 1999 babai i kombit serb, i tmerruar që shqiptarët «primitivë» lidhën aleancë me Perëndimin, shkruante: «Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Europian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb». Në Kaliningrad, në Königsbergun e famshëm të Immanuel Kantit, Xhaka dhe Shaqiri, pasi që nuk janë filozofë për të debatuar me huliganët rusë e serbë në tribunë, bëjnë pak gjimnastikë me gishta dhe ua kujtojnë atyre dështimin e projektit për gjenocid në Kosovë.

Tash shfaqet ndonjë publicist shqiptar dhe kushedi për çfarë motivesh (ndoshta sall për protagonizëm publik) ua qan hallin serbëve dhe zviceranëve që qenkan provokuar nga gjesti me shqiponjë i Xhakës dhe Shaqirit. Kjo tregon për një injorim skandaloz të historisë më të re të Kosovës dhe të Zvicrës. Nacionalistët serbë do të flasin me shkumë para buzëve sa herë që shohin ndonjë shqiponjë. Do të ketë edhe popullistë e demagogë zviceranë që të shtyrë nga motivet raciste hedhin poshtë gjestin me shqiponjë.

Por, realiteti është pak më i ndërlikuar. Së pari: s’duhet t’ua qajmë hallin nacionalistëve serbë. Së dyti: për të shkruar për situatën në Zvicër nuk mjafton të dish vetëm se Berna është kryeqyteti i këtij vendi dhe Gjeneva ndoshta është në kufi me Austrinë. Ndërsa fëmijët zviceranë, familjet e të cilëve mbajnë mbiemrin Müller e Meier prej se është kurdisur dynjaja, bëjnë shqiponjën me entuziazëm, britmat e shtypit zhurmues të Beogradit dhe të ndonjë shqiptari të etur për protagonizëm do të mbesim vetëm – britma joserioze.

«Ich mach’ mal den Doppeladler!» – «Po e bëj njëherë shqiponjën», kjo ka qenë njëra ndër fjalitë me të thëna në Zvicër në dy javët e fundit. Mijëra fëmijë zviceranë janë fascinuar me këtë gjest. Befas u bë «cool» të bësh shqiponjën. Në çdo shoqëri, edhe në atë zvicerane, ka kritikë të këtij gjesti, por nëse kryqëzimin e duarve për të formuar shqiponjën e refuzojnë disa popullistë e demagogë, që fitojnë rreth 30 për qind të votave, kjo s’duhet të na irritojë: janë edhe 70 për qind zviceranë që votojnë parti të tjera, mes tyre edhe parti të majta që në këtë gjest shohin thjesht një shpërthim pozitiv identitar.

Ndonjë publicist shqiptar duhet të ketë kujdes që në furinë e tij gjoja kozmopoliste të mos humb çdo masë gjykimi dhe të mos bëhet pjesëmarrës në kriminalizimin e një simboli kombëtar. Nëse bërja e shqiponjës qenka provokim nacionalist, atëherë përse nesër nacionalistët serbë të mos kërkojnë heqjen e flamurit shqiptar para Ambasadës së Shqipërisë në Beograd?

Siç ka në Zvicër politikanë racistë që kundërshtojnë bërjen e shqiponjës, po ashtu ka edhe gazeta që botojnë tekste me titull: «Mos keni frikë nga shqiponja» ose edhe më ashpër: «Kombëtarja jonë ua tregoi zogun nazistëve». (Në gjermanisht t’ia tregosh zogun dikujt domethënë t’ia bësh të qartë se është budalla).

E vetmja gjë që mund të kërkohet nga futbollistët shqiptarë të Zvicrës është të shënojnë edhe më shumë gola, të luajnë më mirë dhe të identifikohen pak më shumë me Zvicrën, ta zëmë duke kënduar himnin, ndonëse nuk është himn aq bukurtingëllues si ai francez, i cili çon peshë jo veç kombin francez. Sidoqoftë, nga prizmi kosovar as që kemi të drejtë të flasim për himn, kur dihet se Kosova nuk ka tekst që ilustron melodinë, por kjo është temë tjetër.

T’u thuash zviceranëve se shqiponja për ta është provokim, siç mund të lexosh këto ditë nga pena e ndonjë gazetari shqiptar, është nënçmim total i mençurisë së opinionit iluminist zviceran, i cili ende drejton punët e këtij vendi. Ish-ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, tha se si mund ta dëshmojnë lojtarët shqiptarë lojalitetin e tyre më mirë se duke dhënë gola e duke u sakrifikuar totalisht? Kjo ishte përgjigje ndaj atyre që thoshin se ai lojtar që bën shqiponjën nuk është lojal ndaj Zvicrës. E ndaj kujt kanë qenë lojal ata lojtarë tamam zviceranë që në vitet ’60, ’70 dhe ’80 nuk arrinin ta kualifikonin Zvicrën as në Kupën Botërore, as në Kampionatin Europian. Nga viti 2004 Zvicra nuk është kualifikuar vetëm njëherë, përndryshe ka marrë pjesë në çdo kampionat – edhe falë tipave «jolojalë» nga viset shqiptare.

Këta lojtarë do të luftojnë përherë me zemra të ndara, sepse e tillë është biografia e tyre, pastaj nëse ndokush kërkon lojalitet absolut, le të pyes veten nëse gjatë jetës së tij përherë ka qenë lojal ndaj shtetit të vet. Fundja, shteti modern as që guxon të kërkojë lojalitet nga qytetari, vetëm respektim të ligjeve. Kaq mjafton. Ky është kuptim modern i shtetit.

Ka diplomatë kinse kozmpolitë, por edhe mbushës të faqeve të internetit me shkronja që thonë «e kaluara duhet të harrohet», «duhet të jemi tolerantë» e kështu me radhë. Po, këto janë thirrje ndoshta fisnike dhe vërtet duhet të jemi tolerantë dhe të mos biem në kurthin e urrejtjes së një populli, por – për shembull – askush nga polakët nuk guxon të kërkojë të harrojnë krimet naziste, as nga britanikët të harrojnë agresionin e Adolf Hitlerit. Përse për shqiptarët të vlejnë standarde të tjera kur bëhet fjalë për kujtimin e krimeve serbe? Kjo është një tendencë për të imponuar rrëfimin se në Ballkan të gjithë janë fajtorë, të gjithë janë nacionalistë, të gjithë janë shovinistë dhe të gjithë agresorë të përzier në një luftë civile lesheli. Kush mendon kështu, nuk duhet të lodhet fare për të diferencuar dhe hulumtuar.

Por, kjo qasje është e dëmshme, sepse injoron emërimin e agresorit: Serbisë. Një shtet që ka kryer gjenocid në Bosnjë, është ndalur nga NATO-ja ndërsa kryente gjenocid në Kosovë, ka sulmuar Kroacinë dhe Slloveninë. Kjo nuk nënkupton injorimin e faktit se edhe viktimat, sa herë që kanë pasur rastm, janë hakmarrë. Çdo histori konflikti tregon se viktima fisnike nuk ka.

@tn.lajmelokale
@tetovanews