Ballina Kultura Dossier Tërmeti shkatërrues i 1967-s dhe fotot e rralla të Enver Hoxhës

Tërmeti shkatërrues i 1967-s dhe fotot e rralla të Enver Hoxhës

Ai cilësohet si tërmeti më i fortë dhe më shkatërrues në Shqipëri. Ndodhi 51 vjet më parë, më 30 nëntor 1967 në zonën Librazhd-Dibër.

6.6 ballë sipas shkallës Rihter, shkatërroi 177 fshatra, ku humbën jetën 12 vetë dhe 177 të tjerë u plagosën. Toka u ça në një gjatësi mbi 10 kilometra e pati zhvendosje të dheut deri në 50 centimetra…

Unë nuk e jetova dridhjen. I  ndodhur larg Dibre për pushimet e festave kohëlëkundja e madhe më gjeti ulur në ndenjësen e autobusit diku mes Fushë-Krujës e Laçit.

Por jetova vrullin e jashtëzakonshëm për mposhtjen e pasojave të tërmetit, solidaritetin e paparë ndonjëherë për të ndihmuar, solidaritet nga Jugu në Veri e nga Lindja në Perëndim.

Kam jetuar kudondodhjen e njerëzve kur dikujt i digjej shtëpia dhe lagjja, fshati… nën një traditë të marrë brez pas brezi, në ditë betejash kundër pushtuesish, i vinte çatinë e i dorëzonte çelësat brenda javës.

Të nesërmen do të zgjohesha herët për të qenë pjesë e një marshimi tri orësh nga Peshkopia në Vojnikë të Maqellarës së bashku me nxënësit e Shkollës së Mesme “Nazmi Rushiti” ku isha pedagog i lëndëve teknike.

Një odise udhëtimi nga Tirana në Peshkopi, në dimrin e ashpër me dëborë e suferinë, dy net në ndenjësen e ngushtë të autobusit, tre ditë udhëtim nën një kujdes të jashtëzakonshëm që asgjë e keqe të mos na ndodhte, një shkrim i atyre ditëve në “Zërin e rinisë” flenë dhe zgjohen sa herë më vjen në kujtesë ajo fletë e historisë kur e gjithë Shqipëria u bë NJË me Dibrën.

Por a mposhten tërmetet?

Për Hajri Hoxhën ish kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe ish kryetar i Shtabit për Eliminimin e Pasojave të Tërmetit të 30 nëntorit 1967 në Dibër: “Edhe tërmetet mposhten”.

Këtë ai e ka shprehur në një libër me këtë titull duke përcjellë përvojën e popullit të Dibrës në ditët tepër të vështira të dhjetorit 1967, solidaritetin e madh të të gjithë popullit shqiptar i cili iu ndodh pranë dibranëve pa u ngrys mbrëmja e 30 nëntorit.

Një bisedë me të sjell në kujtesë se si mund të mposhten fatkeqësitë e natyrës kur kundër tyre bashkohet i tërë populli:

Hajri Hoxha! Më 30 nëntor të vitit 1967, në orën 8 e 17 minuta të mëngjesit Dibrën dhe Librazhdin e tundi një tërmet i fuqishëm, tërmet që mori jetë njerëzish, shkatërroi nga themelet shtëpi dhe objekte socialkulturore. Ju keni botuar atëkohë edhe një libër “Edhe tërmetet mposhten” me përvojë të drejtpërdrejtë pune për eliminimin  pasojave që rrodhën. Si e mposhtët tërmetin e 30 nëntorit 1967, në atë dimër të ashpër, në ato kushte atmosferike të pa përjetuara ndonjëherë?

Ajo ishte, për të gjithë popullin shqiptar, por veçanërisht për popullin e Dibrës, një fatkeqësi natyrore. Tërmeti ishte afro shtatë ballësh. Fat ishte se na gjeti jashtë…

Ishte mëngjes…

Po, në orën 8 e 17 minuta të mëngjesit. Një pjesë e madhe e njerëzve kishin dalë në punë. Nxënësit, pas pushimit të festave të Nëntorit, kishin shkuar në shkollë. Çasteve të para të hutimit që erdhi nga tronditja e madhe ia zu vendin gjakftohtësia, vendosmëria për t’u qëndruar njerëzve pranë dhe për të kapërcyer çdo vështirësi.

Tërmeti kishte goditur rëndë Maqellarën, Shupenzën, Ostrenin, Klenjën, Bulqizën, fshatrat rreth Peshkopisë, Librazhdin. Katastrofa natyrore mori jetën e 12 vetëve dhe plagosjen e 129 vetëve. U dëmtuan 3536 shtëpi banimi ose 37 për qind e ndërtesave të 88 fshatrave të prekura nga tërmeti. Prej tyre 436 ishin shembur nga themelet. U dëmtuan 73 shkolla, 16 e të cilave u shembën plotësisht. U dëmtuan rëndë 6 spitale e shtëpi lindjeje, 34 dyqane, 22 magazina, 18 stalla, hangarë etj. Më e rëndë ishte gjendja në fshatrat Sebisht, Zabzun, Steblevë, Klenjë, Ostren i Madh, Ostren i Vogël, Lladomericë, Radovesh, Vojnikë, Çernenë, Kovashicë, Burim, Majtarë ku thuajse 70 për qind e shtëpive ose ishin dëmtuar rëndë ose ishin shembur fare…

Cilat ishin masat që morët?

Menjëherë u krijua shtabi. Unë në atë kohë isha kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Menjëherë, si në çdo fatkeqësi, shteti dhe shoqëria na u gjet në krah. Menjëherë erdhën drejtues të partisë e të shtetit por më parë se ata erdhi ajo që quhet solidaritet popullor, të qenit pranë në fatkeqësi, karakteristikë e popullit tonë. Menjëherë, krahas telegrameve të solidaritetit nga Vermoshi në Konispol, u krijuan brigada të posaçme. Brigada e parë erdhi nga Vlora. Erdhën 129 vetë, specialistë të fushave të ndryshme si muratorë, karpentierë, elektricistë, inxhinierë ndërtimi, mekanikë etj. Brenda 3-4 ditëve Dibra  u mbush me brigada ndërtimi nga të katër anët e vendit, brigada nga Saranda, Gjirokastra, Konispoli, Durrësi, Tirana, Mati Kukësi… brigada që u vendosën në të gjitha qendrat e banuar, në çadra apo në shtëpi që i kishin qëndruar tërmetit.

Unë, asokohe kam qenë me nxënësit e shkollës së mesme bujqësore “NazmiRushiti” të Peshkopisë dhe kemi fjetur për ditë të tëra në dyshekë kashte shtruar përtokë në vatrën e kulturës të Çernenës në Maqellarë…

Ashtu është. Mbi të gjitha në dispozicion të punës për eliminimin e pasojave të tërmetit u vunë parqet automobilistike të vendit. Heroizmi i shoferëve të parkut të Laçit, Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Vlorës, Korçës ishte i pa shoq. Ata udhëtuan në dëborë e në akull, rrugë pa rrugë dhe dërguan në çdo fshat, për të mos thënë në çdo shtëpi, materialet e ndërtimit; tulla, tjegulla, çimento, gëlqere, lëndë drusore, dyer, dritare, çdo gjë që duhej.

Punë të madhe bëri edhe vetë populli i Dibrës. Që nga Lura, Selishta, Reçi e Dardha, Kalaja e Dodës,  Sllova, Kastrioti, Muhurri, zona efektivisht të prekura lehtë ose të paprekura nga tërmeti erdhën brigada të posaçme ndërtuesish bashkë me të gjithë bazën materiale ndërtuese dhe u vendosën në zonat e Ostrenit, Klenjës, Steblevës, Okshtunit e deri në Llangë në kufi me Librazhdin ku edhe atje vazhdonte puna për eliminimin e pasojave të tërmetit.

E shkruar në historinë e kësaj lufte heroike është edhe brigada e kufitarëve të vendit tonë, brigadë e cila veproi në zonën e Lladomericës, atje ku ra në krye të detyrës kufitari Agron Elezi, detyrë të cilën erdhi dhe e mori i vëllai i tij Mehmeti.

Çfarë vështirësish teknike kaluat duke pasur parasysh se dhjetori i atij viti ishte dhjetori më i ftohtë që mbahet mend, me dëborë, me ngrica, me temperatura që shkonin deri në minus pesëmbëdhjetë gradë?

Siç e ke jetuar edhe vetë problem ishte lidhja e murit, vendosja e tullave. Llaçi, nga temperaturat e ulëta, ngrinte në vend. Këtu lulëzoi përvoja popullore. Gani Tuçepi, Hero i Punës Socialiste, njeriu që me nivelin e ujit me peplumç  dhe me pushkë, me siguri ke dëgjuar për piketimin e tij “me pushkë” të kanalit të Çidhnës, ky njeri i palodhur i kanaleve ujitëse të Dibrës dhe të mbarë Shqipërisë e gatoi llaçin me zjarr e me kripë. Mblodhi dru, ndezi zjarre, shtroi mbi to llamarina e mbi ta gatoi llaç. Për ta bërë llaçin të qëndrueshëm ndaj ngricës ai përzjeu në të kripë të zezë, nga ajo kripa që përdorej për të eliminuar akullin në rrugë. Shumë shtëpi në Dibër, në ato ditë ngricash të mëdha kanë në mure kripën e asaj pune me të vërtetë jo vetëm heroike por edhe të një përvoje të madhe popullore.

Me sa mbaj mend në atë kohë është elektrifikuar Shupenza dhe disa ditë pas kësaj u shpall aksioni i madh kombëtar për elektrifikimin e gjithë Shqipërisë, elektrifikim që përfundoi më 25 tetor 1971…

Në Shupenzë na prunë dhuratë një motogjenerator. Me të kishte ardhur edhe një pedagog i fakultetit të inxhinierisë elektrike të Universitetit e Tiranës emrin e të cilit nuk po e kujtoj. U ndërtua një barakë, në të u vu gjeneratori dhe brenda 24 orëve u vunë shtyllat, u shtruan telat dhe drita elektrike hyri në çdo shtëpi në Shupenzë.

Më tej linja elektrike u shtri edhe shtëpitë e para në Gjoricë dhe në Boçevë. Ky ishte sinjali i parë i punës së madhe që përfshiu të gjithë Shqipërinë për elektrifikimin e mbarë vendit. Atëherë u ndërtua edhe hidrocentrali i Gjoricës…

*****

Përvoja e fituar në eliminimin e pasojave të tërmetit të 30 nëntorit 1967 në kushtet ekstreme të motit, do të shërbente për likuidimin e pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979 në Shkodër u brenda pesë muajsh punë vullnetare e strehuan 100 mijë banorë si dhe të fatkeqësive të tjera natyrore të kohës.

Dy vjet më vonë, më 14 dhjetor 1969, Dibra, nisur nga përvoja e dhjetorit 1967, do të jepte shkëndinë e ndërtimit në një kohë të shkurtër të kanaleve ujitëse aq të domosdoshëm për zhvillimin intensiv të bujqësisë.

Katër vjet më vonë, më 25 tetor 1971, pas një pune të jashtëzakonshme vullnetare me mbështetje materiale shtetërore, u arrit që edhe në shtëpitë më të veçuara thellë bjeshkëve të ndizeshin llambat elektrike…

Abdurahim Ashiku – Gazetar, dëshmitar i kohës

@tn.lajmelokale
@tetovanews