Ballina Sport “Teatër” në fushë, Neymar e pranon: Tani do ndryshoj dhe do bëhem...

“Teatër” në fushë, Neymar e pranon: Tani do ndryshoj dhe do bëhem një njeri i ri

Neymar ka pranuar se e ka ekzagjeruar me rëniet pas faullave gjatë Kupës së Botës në Rusi, por ylli i Brazilit dhe PSG është zotuar të bëhet një njeri i ri në këtë drejtim, pas turneut të madh të kësaj vere.

Ka pasur shpresa të mëdha për Neymarin dhe Brazilin në “Rusia 2018”, por gjigantët e Amerikës së Jugut u eliminuan që në çerekfinale, pas disfatës me Belgjikën.

Neymar, i cili shënoi dy herë në këtë Botëror, pasi u rikthye nga një këmbë e thyer, që e la jashtë fushave prej muajit shkurt, ishte objekt i rregullt i kritikave për “teatrin” dhe sjelljen e tij në fushë.

Sulmuesi 26-vjeçar, lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit, u la më pas jashtë listës së shkurtër për çmimin e “The Best” të FIFA-s.

Neymar ka përdorur reklamën e sponsorit me prodhuesit e produkteve të kujdesit personal “Gillette” për të pranuar kritikat dhe për t’u zotuar se do të ndryshojë.

Reklama fillon me Neymar duke thënë “Boot-stud on the shins. Kick in the spine. Stomp on the foot”: “Ju mund të mendoni se unë bëj teatër me reagimin në fushë. Nganjëherë e bëj. Por, e vërteta është që vuaj në fushë. Ti që je jashtë saj, nuk e ke idenë se çfarë kaloj. Kur të largohem pa folur për shtypin, nuk është sepse vetëm unë dua të fitoj, por sepse ende nuk kam mësuar të zhgënjej.

Kur dukem i pasjellshëm, nuk është sepse jam një fëmijë i përkëdhelur, por se ende nuk kam mësuar si të merrem me frustrimet e mia. Ka ende një djalosh brenda meje, ndonjëherë ai e verbon botën, herë të tjera i prish të gjitha. Dhe lufta ime është për ta mbajtur këtë djalë gjallë, por brenda meje, jo brenda fushës.

Ju mund të mendoni se e kam tepruar me rëniet në fushë, në Botëror, por realiteti është ndryshe. Paragjykimi më lëndon më shumë se kushdo që shkel në kyçin e këmbës sime të operuar. Kam marrë kohë për t’i pranuar kritikat.

Kam marrë kohë për të parë veten në pasqyrë dhe për t’u bërë njeri i ri. Por, tani jam këtu, me zemrën time të hapur. U rrëzova, por vetëm ata që bien mund të ngrihen. Mund të më godisni me gurë dhe të më ndihmoni të ngrihem, sepse kur ngrihem, i gjithë vendi ngrihet me mua”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews