Ballina Aktualitet Rajoni Të gjithë duan “punë shteti”, Shqipëria me numrin më të lartë të...

Të gjithë duan “punë shteti”, Shqipëria me numrin më të lartë të punonjësve në administratë

Shqipëria renditet krah vendeve nordike të tilla si Suedia dhe Danimarka për numrin e lartë të punonjësve në sektorin shtetëror në krahasim me totalin e të punësuarve pa përfshirë sektorin bujqësor më 2016.

Sipas të dhënave të Eurostat, në BE punësimi në sektorin publik zë mesatarisht 16 për qind në totalin e punësimit, ndërsa në Shqipëri zë 26.5 për qind (pa bujqësinë). Sipas INSTAT, në Shqipëri pesha e bujqësisë në punësim është rreth 40.9 për qind e totalit më 2016, ndërsa në vendet e BE sektori i bujqësisë ka peshë shumë më të ulët në punësim 2-4 për qind.

Kështu Shqipëria renditet menjëherë pas Suedisë (29%) dhe Danimarkës (28%) për peshën e lartë që sektori shtetëror ka në totalin e punësimit, përjashtuar bujqësinë, përkatësisht me 26.5 %. (në Suedi pesha e bujqësisë në punësim është 2% dhe në Danimarkë 3%), sipas Bankës Botërore).

Në vitin 2016 Shqipëria kishte të punësuar 1,127,772 persona nga të cilët, 164, 333 persona ishin të punësuar në sektorin publik, 501,759 në sektorin privat dhe 461,680 ishin në sektorin bujqësor, sipas INSTAT.

Punësimi në sektorin publik zuri 16% të punësimit në BE në vitin 2016. Kjo përqindje ka mbetur pak a shumë të qëndrueshme ndërmjet 15% dhe 17% të punësimit që nga viti 2000. Punësimi publik përfshin shërbimet civile dhe punonjësit e tjerë publik (në nivel kombëtar, rajonal dhe nivel lokal) si dhe forcat e armatosura. Por në disa shtete punësimi në arsim apo shëndetësi është pjesë e punësimit të sektorit publik, ndërkohë që disa shtete nuk e kanë të përfshirë.

Punësimi në sektorin publik në Europë ka përmasa më të larta në Suedi (29% e punësimit total), Danimarkë (28%), Finlandë (25%), Estoni (23% Lituania, Franca dhe Hungari 22%) dhe më të ulëtat në Gjermani (10%), Luksemburg (12%), Holandë (13%), Itali (14%).

Shqipëria hyn në vendet e ish bllokut komunist, kur të gjithë ishin të punësuar në shtet deri në vitet 1990. Me gjithë falimentet dhe privatizimet masive sektori publik vijon të jetë ende punëdhënës i madh në sektorin jobujqësor.

Me gjithë përpjekjet për të mbajtur një administratë të vogël qeveritë shqiptare kanë dështuar në këtë mision.

Sipas të dhënave zyrtare nga statistikat e sigurimeve për vitin 2017 shihet se numri i punonjësve në sektorin publik është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit. Në vitin 2017 ishin punësuar mbi 14 mijë persona më shumë se në vitin 2015, kur qeverisja Rama nisi reformën për një administratë të vogël.

Numri i të punësuarve në vitin 2017 është zgjeruar me 9.6 për qind në raport me vitin 2015, teksa shihet se shtesa më e madhe ka ndodhur në vitin 2016 me rreth 9655 persona më shumë se në vitin 2015, teksa në vitin 2017 u shtuan 4300 persona ose 2.8 për qind.

Punësimi në shtet sipas analizave që kanë bërë institucionet financiare vitin e kaluar është nxitur nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku zakonisht administrata publike pëson fryrje.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2017, Kryeministri bëri një organizim të ri të sistemit të qeverisjes dhe mënyrës së organizimit funksional.

Në kudër të kësaj reforme numri i ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe efecientë.

Sipas të dhënave zyrtare të institutit të Sigurimeve shoqërore skemës i janë shtuar mbi 4300 kontribuues (punonjës të rinj) nga administrata publike./dita/

@tn.lajmelokale
@tetovanews