Ballina Argëtim Kuriozitete SMS-të e mashtruesit që përftoi mbi 800 mijë euro, sillej si djali...

SMS-të e mashtruesit që përftoi mbi 800 mijë euro, sillej si djali i kryeministrit

Gjykata e Tiranës ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 41-vjeçarin Klodian Ciruna.

Ai akuzohet për mashtrime me pasoja të rënda dhe vetëm nga kallëzimet e depozituara deri më tani, Ciruna dyshohet se ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit mbi 800 mijë euro.

Përdorimi i emrave të drejtuesve të lartë të Bashkisë së Tiranës, apo të djalit të kryeministrit kanë rezultuar si arsyet që kanë shkaktuar dështimin e skemës së tij të mashtrimit.

Burimet e Top Channel pohojnë se 41-vjeçari u çonte personave që u kishte marrë qindra mijëra euro, mesazhe telefonike gjoja të shkruajtura nga drejtues të lartë të Bashkisë së Tiranës. Për këtë, ai shfrytëzonte kompaninë “call center” që kishte hapur.

Viktimat e Cirunës siguroheshin përmes mesazheve të falsifikuara se strukturat e bashkisë ishin duke përgatitur lejet e ndërtimit.

Për t’u shfaqur akoma dhe më i besueshëm, 41-vjeçari mendoi t’i dërgonte një drejtuesi mesazh, sikur e kishte shkruar djali i kryeministrit. Ndërtuesit i premtohej në këtë mesazh dhënia e rikonstruksionit të piramidës dhe të disa rrugëve në kryeqytet.

Ky ka qenë momenti kur ndërtuesi ka dyshuar seriozisht, pasi ai ka informuar me mesazh kryeministrin, i cili i ka pohuar se e gjitha është një mashtrim.

Denoncimi i ndërtuesit për Klodian Cirunën është pasuar edhe nga denoncimi i të tjerë personave, që ishin mashtruar me shuma të konsiderueshme.

Organi i akuzës beson se përveç personave që kanë depozituar kallëzim, Ciruna ka mashtruar edhe të tjerë, të cilët për momentin nuk kanë vendosur ta denoncojnë.

Sa i takon të arrestuarit, ai nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim./dita/

@tn.lajmelokale
@tetovanews