Ballina Aktualitet Shqipëri Sizmiologu i njohur tregon situatën e tërmeteve në Shqipëri: Ja zonat më...

Sizmiologu i njohur tregon situatën e tërmeteve në Shqipëri: Ja zonat më të rrezikuara dhe disa këshilla për t’u mbrojtur

Lëkundjet e fundit sizmike që prekën vendin tonë, kanë ngjallur panik tek shumë qytetarë.

Përgjegjësi i departamentit të sizmiologjisë në Institutin e gjeoshkencave Prof. Asoc. Rexhep Koçi, sqaroi situatën e tërmeteve në Shqipëri.

“Edhe vendi ynë ka një probabilitet jo të vogël, duke pasur parasysh tërmetet e ndodhura në Shkodër në vitet 1900 si dhe ato të ndodhura në vitet 60-80, në Dibër, Korçë, Fier, Lushnjë, Berat etj.

Çdo vend ka karakteristikat e veta sizmike, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me ndërtimin gjeologo-tektonik të vendit, si dhe me aktivizimin e herë pas hershëm të thyerjeve të reja tektonike.

Vlen të theksohet se vendi ynë bën pjesë në sistemin e rrudhosur Alpin. Ky brez karakerizohet nga një aktivitet i lartë sizmik.

Natyrisht, vendi fqinj Italia bën pjesë në të njëjtin sistem tektonik, Alpin i cili shquhet për një moshë relativisht të re gjeologjike duke bërë që ky sistem të jetë ende evoluim tektonik, proces i cili shoqërohet vazhdimisht me tërmete të madhësive të ndryshme, përfshi këtu edhe ata të fortë si ne Itali qendrore këto muajit e fundit”, shprehet Koçi.

Në bazë të të dhënave tuaja, ai tregon edhe zonat më të ndjeshme nga lëkundjet në Shqipëri.

“Referuar statistikave mbi aktivitetin sizmik janë përcaktuar disa zona si ajo perëndimore Joniko-Adriatik, zona lindore Peshkopi-Pogradec-Korçë dhe ajo tërthore Vlore-Elbasan-Dibër.

Kjo nuk do të thotë se në zona të tjera mungon aktiviteti sizmik, por këto të përmendura më sipër janë më aktive dhe shquhen për një numër më të madh ngjarjesh sizmike në raport me të tjerat”, thekson sizmiologu.

Koçi adreson edhe disa këshilla konkrete për të gjithë qytetarët në rast se do të gjenden në situata të vështira për shkak të tërmeteve.

“Të mos shpërqendrohen, të mos humbin qetësinë. Të pozicionohen poshtë trarëve antisizmik, tavolinave të forta dhe objekte të tjera që mund të shërbejnë si mburojë e përkohshme nga rënia e objekteve, suvasë, tullave, etj.

Te qëndrojnë larg objekteve të varura apo atyre që mund të shkëputen lehtësisht si rezultat i lëkundjeve të forta. Të mbyllin gazin apo energjinë, nëse është e mundur. Për godinat e larta të evitohet ashensori, pasi ai mund të bllokohet nga lëkundjet.

Të largohen sa më tepër nga ndërtesat dhe te qëndrojnë në fushë të hapur. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe ata në nevojë, pasi janë vetë banoret të parët në vend-ngjarje, përpara se sa forcat shpëtuese të mbërrijnë për t’ju ardhur në ndihmë”, tha Koçi. (TemA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews