Ballina Aktualitet Opinione Shqipëria e Kosova e jetojnë ‘diktaturën demokratike”

Shqipëria e Kosova e jetojnë ‘diktaturën demokratike”

Nga Kim Mehmeti

Gazetarët shpesh më pyesin se a është i mundur rikthimi i diktaturës në Shqipëri?  Mendoj se ka vite që në Shqipëri është instaluar ‘diktatura demokratike’ e rilindësve! E di se ju tingëllon i pakuptimtë një emërtim i tillë, por duhet ta dini se koha e internetit nuk prodhon diktatorë të tipit të Enverit, por të një lloji tjetër, atë ‘rilindës’ dhe të ‘Klanit pronto’.

Diktatorët e shumëpartizmit nuk e shndërrojnë popullin dhe shtetin në pronë të veten duke i kontrolluar të vërtetat që publikohen, por duke i vënë nën kontroll gënjeshtrat nëpërmjet të cilave shlyhet pragu që ndanë të vërtetat nga të rrejshmet.

Pastaj ‘diktatorët’ demokratik nuk i mbyllin kufijtë dhe nuk i vrasin në kufi ata që duan ta braktisin shtetin, por përkundrazi, i nxisin dhe i detyrojnë kundërshtarët e vet politik ta braktisin vendin, duke mos u lejuar të punësohen e të mbijetojnë në mëmëdheun e tyre.

Dhe kështu – njësoj si Enveri që dikur ndërtoi shtet vetëm për të dëgjueshmit e vet –  edhe ‘rilindësit’ ne Shqipëri dhe ‘komandantët’ në Kosovë, ndërtuan shtete vetëm për ata që u përkulen atyre.

Andaj më thoni ku qëndron dallimi mes diktatorëve të dikurshëm që të vrisnin duke e kaluar kufirin dhe këtyre ‘hajdutokratëve’ tanë të sotëm, që të ‘vrasin’ pse nuk e kalon kufirin dhe nuk u lejon të papenguar të ndërtojnë shtet vetëm për  bashkëmendimtarët e tyre. Pra, më thoni ku qëndron dallimi mes Enverit që ndërtonte përmendore ku të donte, e kur të donte dhe, këtyre ‘enverave’ demokratik që Shqipërinë e kanë shndërruar në një lëndinë pa pronarë, ku ata ngrenë  kulla ku të duan dhe kur të duan. Pra, më thoni ku qëndron dallimi mes Enverit që e rrënonte të shkuarën për ta mbajtur mend vetëm Shqipërinë që ai ndërtoi  dhe këtyre ‘talebanëve rilindës’ që rrënojnë çdo gjë që na e kujton të kaluarën, duke dashur që mbëmendja jonë të ‘ristartohet’ nga e para, e të fillojë të regjistrojë vetëm lartësinë e kullave të tyre!

Shkurt e shqip: në kohën e internetit, nuk mund të fshihet e vërteta, andaj diktatorët demokratik i vunë nën kontroll gënjeshtrat dhe spektaklet, nëpërmjet të cilave e bëjnë të padukshëm kufirin që e ndanë të vërtetën nga gënjeshtrat, bardin nga i pafytyri, të ndershmin nga i pandershmi, budallain nga i mençuri….

Pra, u barazuam të gjithë me njëri-tjetrin, ashtu siç u barazua edhe e vërteta me gënjeshtrën dhe, të gjithë merremi, o me dasmat e VIP-ave, o me deklaratat e ndonjë opinionisti, i cili në mungesë të prapanicës së majme të tipit ‘kardashian’, e shpalosë publikisht ‘trashësinë’ e tij mendore,  e me çka ‘diktatorëve demokratik’ u mundësohet të sundojnë të papenguar dhe përjetësisht. Dhe kështu, sa më gjatë ata sundojnë, aq më shumë u shtohet numri i votuesve, gjë që  ndodhë vetëm në shtetet diktatoriale, apo ma saktë thënë, në shtetet partiake, aty ku asgjë nuk vlen shteti, e ku çdo gjë është pushteti e partia.

Kështu pra, nuk duhet debatuar për atë sa është i mundur një diktator i ri në Shqipëri, por duhet të flitet për atë si ta shpëtosh Shqipërinë nga diktatura ‘demokratike’, e cila mbështetet mbi varfërinë e popullit, mbi spektaklet me të cilat mbulohet realiteti i mjerueshëm, mbi kontrollimin e gënjeshtrave që publikohen nëpër media, e që i drejton partia në pushtet. Shkurt e shqip, diktatorët e dikurshëm,  i përdornin mediat dhe gazetarët për të përhapur të vërteta të kontrolluara, e sot i përdorin për të shpërndarë gënjeshtrat që do e hutojnë popullin. Me çka nuk do shihet as spastrimi që ata ia bëjnë vendit, duke e dëbuar rininë tonë dhe pjesën e popullatës që nuk u bindet atyre.

@tn.lajmelokale
@tetovanews