Ballina Bota Pas letrës së Trump, ish-ambasadori i SHBA në NATO: Vetëm 8 anëtarë...

Pas letrës së Trump, ish-ambasadori i SHBA në NATO: Vetëm 8 anëtarë shlyejnë detyrimet

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Douglas Lute e përligj plotësisht kërkesën e Donald Trumpit për shtimin e kontributeve të aleatëve në aleancën më të madhe ushtarake të botës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u dërgoi një letër Gjermanisë, Belgjikës, Norvegjisë, Kanadasë e partnerëve të tjerë, duke u treguar rritjen e zhgënjimit të amerikanëve, për shkak se të tjerët nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre për një kontribut më të madh financiar për NATO-n. Më i ashpër, Trump tregohej me Merkelin.

“Gjermania, – kujtonte ai, – jep fare pak parà për mbrojtjen dhe kjo e cënon sigurinë e aleancës. Të tjerët e shohin si shembull, – shkruan Trump, – e ndihen të konfirmuar, duke mos iu përgjigjur detyrimeve të tyre. Kjo gjendje nuk mund të pranohet gjatë, as nga qeveria amerikane dhe as nga Kongresi”, vazhdonte letra e tij.

Lute thotë se nga 29 anëtarë të NATO-s, vetëm 8 e përmbushin realisht detyrimin e shpenzimit të 2% të GDP-së në buxhetin e mbrojtjes. Ashpërsimi i tonit nga Trumpi vjen përpara Samitit të NATO-s, i cili zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel.

Pas dështimit të takimit të G7-s në Quebec, aleatët druhen se mosmarrëveshjet me presidentin amerikan mund të shtohen edhe më shumë. Se në ç’drejtim do të shkojë NATO, në këtë moment askush nuk mund ta thotë me siguri.

Loading...