Ballina Aktualitet Rajoni Kurti propozon që fillimisht Shqipëria e Kosova të bashkohen në konfederatë

Kurti propozon që fillimisht Shqipëria e Kosova të bashkohen në konfederatë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, përsëriti në RTSH objektivin e tij politik për bashkimin kombëtar të shqiptarvëe, ndërsa tha se ky projekt nuk bie ndesh me atë të BE-së.

“Nuk jam fare kundër BE-së, përkundrazi. Jam një avokat i madh i BE-së dhe mendoj se BE duhet mbrojtur. Mendoj se paqja e qëndrueshme mban emrin e Bashkimit Evropian. Dhe në paqe të qëndrueshme kemi antifashizmin brenda. Por jam edhe avokat i shtetit të mirëqenies, i cili e kombinon rritjen ekonomike me drejtësinë sociale”- tha Kurti në emisionin “Përballë” të RTSH-së.

Ndonëse projekti i Vetvendosjes për bashkimin e shqiptarëve gjen pengesë në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk gëzon as mbështetjen e ndërkombëtarëve, Albin Kurti e sheh edhe variantin që ai mund të ndodhë përpara mbërritjes në BE, përcjell Koha Jonë.
“Për një periudhë kalimtare le të bëhemi konfederatë apo federatë. Nuk do isha kundër një solucioni të tillë, por gjithsesi vetëm si një fazë kalimtare. Nëse ne hapat integrues drejt bashkimit i përshpejtojmë dhe i kemi më seriozë e më të sinqertë se deri tani, atëherë bashkimi ynë do të mund të ndodhë para Bashkimit Evropian”, u shpreh Albin Kurti.

Për Albin Kurtin integrimi i 6-të vendeve te Ballkanit në BE duhet te jetë i njëkohshëm.

“Nuk është e mundshme që Bashkimi Evropian të thotë që 6-të shtetet e Ballkanit Perëndimor, ende të pa anëtarësuara, i dua në BE, mirëpo do t’i inkuadrojë një nga një. Meqenëse vështirësitë që ia ka bërë Maqedonisë, ta zëmë për një çerek shekulli Greqia, janë të pakrahasueshme me atë që do t’i bëjë Serbia jo vetëm Kosovës e Shqipërisë, por edhe Bosnje dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi”, tha Albin Kurti në RTSH.

Në shkurt të këtij viti, BE publikoi strategjinë e zgjerimit, ku Serbia dhe Mali I Zi kryesojne procesin. Pas tyre vinë Shqipëria dhe Maqedonia që mund të çelin negociatat vitin e ardhshëm, ndërsa për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën nuk ka një afat të përcaktuar sa i përket hapave drejt anëtarësimit në BE.

@tn.lajmelokale
@tetovanews