Ballina Aktualitet Kosovë Haradinaj: Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë

Haradinaj: Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se Kosova i ka përcaktuar parimet e veta në dialogun me Serbinë.

Haradinaj duke folur për dialogun Kosovë-Serbi tha se nuk do të ketë ndarje dhe as shkëmbim territoresh.

“Dalja nga kjo gjendje është dakordim i disa parimeve të dialogut. Ne si Kosovë kemi përcaktuar parimet tona, s’ka ndarje as shkëmbim territoresh, as lëvizje të kufijve Kosovë-Serbi, s’ka defunksionalizim të tipit Kosova-Srpska”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut.

”Në dialog është mirë që institucionet të jenë të përfshira si edhe parlamenti, partitë politike pozitë dhe opozitë”, tha Haradinaj, duke shtuar se në Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë.

Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës ka nxjerr raport për të arriturat dhe sfidat të cilat kanë buruar nga zbatimi i marrëveshjeve të dialogut Kosovë –Serbi, në Bruksel.

Haradinaj tha se marrëveshjet e arritura janë zbatuar pjesërisht e disa nuk janë zbatuar fare siç është Marrëveshje për Energjinë.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për kërcënimin dhe shantazhet që po ia bën Serbia pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb.

Ai theksoi se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është e papranueshme dhe e pakuptimtë.

“Është e pakuptimtë qasja e Serbisë në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës si dhe ulja në tavolinën e dialogut. Është e papranueshme ndërhyrja e tyre, kërcënimi, shantazhet ndaj pjesëtarëve të FSK-së. Lista është e gjatë dhe e papranueshme e veprimeve të Serbisë në Kosovë”, tha ndër të tjera Haradinaj. . /Telegrafi/

@tn.lajmelokale
@tetovanews