Ballina Bota Gjermani, arrihet konsensusi për paketën e azilit

Gjermani, arrihet konsensusi për paketën e azilit

Krerët e partive CDU, CSU dhe SPD në Gjermani e arritën çuditërisht shpejt konsensusin për paketën e azilit në komitetin e koalicionit qeverisës.

Pas javësh të tëra lufte për pushtet mes CDU/CSU dhe mosmarrëveshjeve të brendshme, Unioni Kristiandemokrat, ai Kristiansocial dhe SPD-ja ranë dakord për një paketë kundër emigracionit të paligjshëm, për ashpërsimin e politikës së azilit dhe masa më të forta ndaj emigranteve ilegalë në kufirin gjermano-austriak.

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer u shpreh shumë i kënaqur me kompromisin.

“Kjo është gjithçka, nga A në Z, siç e dua unë si ministër përgjegjës”, u shpreh politikani i CSU-së.

Kryetarja socialdemokrate, Andrea Nahles, dhe nënkancelari Olaf Scholz u shprehën gjithashtu dakord që procedurat e azilit të përshpejtohen.

Përveç kësaj, kabineti do të miratojë brenda këtij viti një ligj për emigracionin. Kjo e fundit ishte kërkesë qendrore e socialdemokratëve. Në këmbim të miratimit të paketës kundër emigracionit të paligjshëm, SPD-ja kishte kërkuar përgatitjen sa më të shpejtë të një ligji për emigrimin, i cili të plotësojë nevojat e Gjermanisë me fuqi punëtore të specializuar.

Këto të ashtuquajtura “qendra transferimi” do të jenë pjesë e stacioneve ekzistuese policore.

“Nuk do të ketë tela me gjemba ose gjëra të ngjashme”, tha shefi i CSU-së. “Çdo ditë, në to mund të mbahen dy deri në 5 refugjatë që vijnë ilegalisht. Pas 48 orësh ata do të lihen përsëri në ‘liri të plotë’, thjesht nuk do të lejohen të hyjnë në Gjermani. Nuk është fjala për ‘kampe masive’”, sqaroi Seehofer.

Me sa duket pra, kompromisi i azilit mund të prekë në fund të fundit shumë më pak azilkërkues nga sa ishte planifikuar fillimisht, kur u tha se të prekur do të jenë të gjithë emigrantët që kapen në kufi dhe që u janë marrë diku tjetër më parë shenjat e gishtërinjve dhe janë regjistruar./Tch/

@tn.lajmelokale
@tetovanews