Ballina Sport Futbollistët që shkëlqyen në Botëror, klubet nisin ‘gjuetinë’ në merkato

Futbollistët që shkëlqyen në Botëror, klubet nisin ‘gjuetinë’ në merkato

Botërori është vitrina më e mirë për një lojtar të ri për të treguar talentin e tij dhe në “Rusi 2018”, emrat e rinj që kanë spikatur kanë qenë të shumtë, mes portierëve, mbrojtësve, mesfushorëve apo dhe sulmuesve.

I tillë është rasti i portierit të Anglisë, Pickford, që ndihmoi të tijtë të triumfonin në garën e penalltive me Kolumbinë, ndërsa kontribuoi me pritjet e tij dhe në suksesin e Suedisë duke qenë padyshim ndër më të spikaturit e këtij kompeticioni.Duke qenë se luan në Premier League, e sigurtë është se kjo verë do ta gjejë me një lumë ofertash dhe vështirë se e ardhmja do të vazhdojë të jetë te Everton.

Një tjetër emër i ri që spikati në këtë Botëror nga Anglia ishte dhe Maguire, që përveçse u konfirmua i saktë në detyrat mbrojtëse gjithashtu ka treguar se dhe di të shënojë siç bëri me Suedinë.

Ka firmosur rinovimin me Leicester, por së ardhmes nuk i dihet kurrë.

Te Franca, emri më interesant në listën para Botërorit ishte Pavard i Shtutgartit. Deschamps i besoi krahët dhe zgjidhja e tij rezultoi efikase, pasi mbrojtësi francez ka qenë ndër më të mirët për të tijtë dhe sezonin e ardhshëm mund ta shikojmë të mbajë veshur fanellën e Bajernit, Tottenhamit, apo një prej skuadrave të Manchesterit.

Rusia gjithashtu nuk i kurseu elementët cilësorë dhe një prej tyre ishte dhe Cheryshev, që në këtë Botëror kontribuoi me katër gola, njëri madje shënuar në çerekfinale përballë Kroacisë.

Me Villareal nuk kishte patur në sezon për t’u mbajtur mend, por paraqitjet në këtë Botëror mund ta katapultojnë në merkato.

Kroacia, si surpriza më e madhe e këtij kompeticioni, ka patur në gjirin e saj një sërë futbollistët të rinj që kanë spikatur mes të cilëve dhe Rebic i Eintracht Frankfurt.

Është e sigurtë që nuk do të qëndrojë më në “Waldstadion”, pasi Bajern ka hedhur grepat mbi të duke ofruar madje 50 milion euro.

Nigeria u largua gjithashtu shpejt nga kompeticioni, por tregoi se ka një talent të vërtetë në gjirin e saj siç ishte Musa i CSKA së Moskës.

Sigurisht nuk ka skuadra të mëdha pas tij, por një karrierë te Leicester apo Olimpik Marsejë mund të konsiderohet gjithsesi një kapërcim jo i vogël për sulmuesin e Nigerisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews