Ballina Aktualitet Opinione Çmimi i shtetndërtimit

Çmimi i shtetndërtimit

Zeqirija IBRAHIMI

Para rënies së Perandorisë Osmane, rilindësit shqiptarë lobuan që kufijtë e shtetit të ri shqiptar të shtrihen në kuadër të katër vilajeteve (Vilajetit të Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit – që përfshinte territor diku rreth 74.000 km2). Edhe Lidhja e Prizrenit (1878) kërkonte autonomi për shqiptarët në kufijtë e vilajeteve të lartpërmendura.

Kështu, edhe pse Ismailqemal Bej Vlora e shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28.11.1912, ajo nuk u njoh ndërkombëtarisht deri në vitin e ardhshëm (në Konferencën e Ambasadorëve në Londër – 29.7.1913), kur u pranua territori i Shqipërisë vetëm me 28,748 km2. Kush do ta besonte këtë?! Madje, shqiptarët do të ishin falënderues që në Versajë u ishte lënë shteti në kufijtë që e tillë. Ky ishte një çmim i lartë për ambiciet nacionale të shqiptarëve të Gadishullit Ballkanik, por oferta ishte „merre ose lëre!“.

Në kohën më të re, disi i ngjashëm ishte edhe rasti me Marrëveshjen e Dejtonit, kur Izetbegoviqi, me qëllim që ta shpëtojë ekzistencën e Bosnjë e Hercegovinës, e pranoi Republika Srpska-n (49 %) në suazat e kufijve shtetërorë, ashtu që boshnjakëve u mbeti ta ndajnë gjysmën e mbetur me kroatët. Sa për përkujtim, para luftës në Bosnjë e Hercegovinë, aty kishte 43 për qind boshnjakë, 31 për qind serbë dhe 17 për qind kroatë. „Nëse nuk dëshiron një Srebrenicë tjetër, atëherë pranoje këtë!“, ndoshta kjo i ishte ofruar Izetbegoviqit, derisa në anën tjetër ishte zgërdhierja e Millosheviqit.

Çmimi që duhet të paguhet

Fotografia edhe më e qartë është me Kosovën e sotme. Me qëllim të heqjes së regjimit të vizave, Kosova ishte detyruar të heqë dorë prej territorit të vet, ndërsa kur nuk iu hoqën as vizat, as që mori guxim të shprehë pakënaqësi. E tani, kur në horizont është arritja e marrëveshjes së re ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Kosova do të duhet të paguajë edhe një çmim të ri, përkatësisht të bëjë pazar për pjesën veriore të territorit të saj: „Nëse dëshiron shtet dhe të pranohesh në OKB, atëherë çmimi është ky“!

Edhe pse ky rend tingëllon brutale, duhet ta kemi parasysh faktin se politika reale e botës nuk bazohet në drejtësi, mëshirë dhe moral, por në interesa. Nëse dikush mendon se ekzistojnë vlera të tjera në politikë, e ka huqur. Kur Presidenti Trump i drejtohet Gjermanisë në mes të Evropës me këtë fjalorin: „Unë nuk do të paguaj për ty në NATO, e ti të jesh e varur prej energjisë ruse!“, habitem nëse dikush te ne shpreson në një marrëdhënie ndryshe për shkak të keqardhjes për sakrificën tonë.

Për hir të së vërtetës, edhe Republika e Maqedonisë ende po e ndërton sovranitetin e saj. Ashtu si një pjesë e fqinjëve tanë, edhe Maqedonia në periudhën e deritanishme ka dëshmuar se nuk ka vetëdije dhe kapacitet të mjaftueshëm të ndërtojë shtet të suksesshëm pa ndihmën e jashtme. As në aspektin ekonomik, as në atë ushtarak, e as në atë demokratik ne nuk dëshmuan se mund të mbijetojmë vetë.

Madje, edhe në marrëdhëniet e brendshme ndëretnike, shteti nuk dëshmoi se vetë mund të ballafaqohet dhe t’i zgjidhë këto probleme, por gjithnjë duhej ndonjë faktor i jashtëm që të ndërmjetësojë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është shembulli më i mirë për këtë. Sido që të jetë, në skenë është një ofertë e re për Maqedoninë: „Nëse dëshironi shtet stabil, anëtar të NATO-s, me mundësi për perspektivë ekonomike, atëherë çmimi është miratimi i marrëveshjes me Greqinë!“. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltengberg, e tha këtë thuajse në një fjali të njëjtë.

Dhe kur gjendemi para kësaj sprove të re, kur e dimë se të gjitha shtetet kanë paguar ndonjë çmim për shtetndërtimin e tyre (mund ta paramendoni çmimin të cilin e ka paguar Turqia – prej kufijve të një perandorie të madhe deri në kufijtë e sotëm) – është koha që edhe ne të marrim një vendim: a duam një shtet stabil dhe me perspektivë apo duam të mbetemi në „vijën e zjarrit“ (Xh. Keri), me rrezik të madh për të ardhmen tonë?!

Shtetndërtimi në pikëpyetje

Kjo, me siguri, është dilema e interpretuar ndryshe e referendumit që do të mbahet. Kur kështu i shikojmë gjërat, edhe pse të gjithë ne duhet të jemi përgjegjës, përsëri më shumë duhet të mendojnë bashkëqytetarët tanë maqedonas. Mbijetesa e tyre, edhe si komb, varet nga ekzistimi i shtetit. Nëse ata duan ta kultivojnë identitetin, gjuhën, historinë, kulturën e tyre, etj., këtë mund ta bëjnë vetëm nëse kanë një shtet të fuqishëm i cili i mbron këto interesa…

Duke u nisur nga kjo, mund të konstatojmë se të gjithë ne, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, këtë vit do të gjendemi para një sprove për të vendosur për ardhmërinë tonë, por aq më shumë do të jenë në sprovë bashkëqytetarët tanë maqedonas, të cilët përveç interesit të përgjithshëm shtetëror, duhet të vendosin edhe për interesin e tyre kombëtar.

Çështja e referendumit nënkupton dy dilema për ta, ndërsa një dilemë për ne të tjerët.
Duke i analizuar në këtë mënyrë zhvillimet në Maqedoni, mund të konkludojmë se ata që janë kundër referendumit, kundër zgjidhjes së kontestit të emrit, tërthorazi e vënë në pikëpyetje shtetin, madje mund t’i shkaktojnë dëm edhe identitetit maqedonas.

Pasi çdo opsion tjetër është i rrezikshëm, referendumi është një mundësi që ky shtet të niset në një rrugë tjetër. Në rast se Maqedonia vendos mos të jetë në NATO (me refuzimin e referendumit), a ka ndokush në Maqedoni i cili e di se në cilën rrugë duhet të ecim?! Unë nuk e di. Më saktë, as që dua të mendoj për opsionet e tilla.
18 korrik 2018

@tn.lajmelokale
@tetovanews