Ballina Bota Bota rrezikohet nga epidemi të reja

Bota rrezikohet nga epidemi të reja

Po ballafaqohemi me një problem. Problem serioz. Çdo moment, një pandemi globale jetëkërcënuese mund të shfaqet dhe ta zhdukë një numër të konsiderueshëm të jetëve njerëzore në këtë planet.

Numri i të vdekurve do të ishte katastrofik; një sëmundje mund t’i shkaktojë 100 milionë të vdekur.

Duket si një ëndërr e tmerrshme. Duket si diçka që nuk mund të jetë e vërtetë. Por është. Informacioni vjen nga Tedros Adhanom, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, transmeton koha.net.

Ai foli para pak ditësh në Samitin e Qeverive Botërore në Dubai, dhe sipas vlerësimit të tij, gjërat nuk duken mirë.

“Ky nuk është një skenar i ardhshëm i një makthi”, tha Tedros (siç preferon ai të quhet nga tradita etiopiane).

“Kjo është ajo që ndodhi saktësisht 100 vjet më parë gjatë epidemisë së gripit spanjoll”. Një heshtje ra mbi të gjithë audiencën ndërsa ai vuri në dukje se mund të ballafaqohemi përsëri me një shkatërrim të tillë, ndoshta qysh tani.

Tedros ishte po aq empatik sa edhe serioz kur fliste: “Një epidemi shkatërrimtare mund të fillojë në çdo vend në çdo kohë dhe të vrasë miliona njerëz, sepse ne ende nuk jemi të përgatitur. Bota mbetet e ndjeshme”.

Cili është shkaku i kësaj ndjeshmërie të madhe? A është pamundësia jonë për ta shmangur Ebolën? Incidentet në rritje të tërbimit në popullatat e kafshëve? Numri në rritje i rasteve me HIV dhe AIDS?

Jo. Sipas Tedros, kërcënimi nga pandemia globale vjen nga apatia jonë, nga refuzimi ynë i vendosur për të vepruar për ta shpëtuar veten – një refuzim që e gjen zemrën e tij në indiferencën tonë dhe lakminë tonë.

“Mbulimi shëndetësor universal është kërcënimi më i madh për shëndetin global”, deklaroi Tedros.

Derisa audienca lëvizte në ulëset e tyre në mënyrë të pakëndshme, ai vuri në dukje se, pavarësisht faktit se mbulimi shëndetësor universal është “brenda mundësive” për pothuajse çdo komb në botë, 3.5 miliardë njerëz ende nuk kanë qasje në shërbimet thelbësore shëndetësore.

Pothuajse 100 milionë janë të shtyrë në varfëri të skajshme për shkak të kostos së pagesës së kujdesit shëndetësor nga xhepat e tyre.

Rezultati? Njerëzit nuk shkojnë te mjeku. Ata nuk kërkojnë trajtim. Ata sëmuren. Ata vdesin. Dhe kështu, siç shpjegoi Tedros, “sinjalet më të hershme të një shpërthimi nuk vërehen”.

Mbikëqyrja është një nga format më jetike të mbrojtjes që mund të ofrojnë agjencitë publike të shëndetit publik, por këto agjenci mbështeten në paratë e qeverive të cilave u shërbejnë.

Dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht po ballafaqohen me një sezon me seriozitet rekordthyes të gripit, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan kohët e fundit se do t’i reduktonin për 80 për qind programet e tyre të parandalimit të epidemisë.

Programet për parandalimin e sëmundjeve infektive, si Ebola, po reduktohen në 39 nga 49 shtetet ku kanë qenë aktive, sipas “The Washington Post”.

Arsyeja? Shumë thjesht, qeveritë po i tërheqin paratë nga këto programe dhe nuk është e qartë nëse më shumë fonde do të ndahen ndonjëherë – të paktën, jo në SHBA gjatë administratës aktuale.

Kjo mund të duket paksa e pakuptimtë. Por, siç theksoi Tedros, shumë shpesh “e shohim shëndetin si një kosto për t’u kursyer dhe jo një investim që duhet ushqyer”.

Përveç asaj që është e qartë – shmangia e një pandemie globale që e shkatërron njerëzimin – shoqëritë e shëndetshme janë të favorshme për arsye që janë më ekonomike sesa epidemiologjike.

“Përfitimet e mbulimit universal të shëndetit shkojnë shumë përtej shëndetit”, tha Tedros. “Sistemet e forta shëndetësore janë thelbësore për ekonomitë e forta.”

Ne e dimë se cilësia e kujdesit para dhe pas lindjes të cilën një person e merr kur lind një fëmijë ka ndikim të drejtpërdrejtë në atë se sa shpejt janë në gjendje të kthehen në punë (nëse zgjedhin).

Nëse duam që fëmijët tanë të rriten mjaft shëndetshëm për t’u bërë anëtarë funksionalë, kontribues të shoqërisë, atëherë cilësia e kujdesit shëndetësor që ata e marrin nga lindja gjatë fëmijërisë nuk mund të nënvlerësohet.

“Ne nuk e dimë se ku dhe kur do të ndodhë pandemia e ardhshme globale”, tha Tedros, “por e dimë se do të ndikojë tmerrshëm si për jetët njerëzore, ashtu edhe për ekonominë”.

Derisa Tedros e pranoi se nuk ka garanci që një ditë do ta krijojmë një botë krejtësisht pa pandemi, ajo që është brenda mundësive tona – nëse kemi investime dhe mbështetje – është një botë ku njerëzit, jo patogjenet, mbesin nën kontroll.

Mund të bëjmë më mirë se kaq. Dhe nëse shumica prej nesh dëshirojmë të mbijetojmë në një afat të gjatë, duhet të bëjmë më shumë se kaq.

@tn.lajmelokale
@tetovanews