Ballina Teknologji Biznesi i klikimeve, sa fitohet me një postim në rrjetet sociale

Biznesi i klikimeve, sa fitohet me një postim në rrjetet sociale

Për mijëra të rinj në mbarë botën, prezenca në rrjetet sociale është kthyer pothuajse në detyrim. Por nëse kalohet kaq shumë kohë në to, përse kjo të mos shndërrohet në një profesion të mirëfilltë, me rritje të numrave në llogarinë bankare në fund të muajit?

Një studim i kryer nga Captiv8, një startup i specializuar në mediat sociale dhe marketing, jep një ide të qartë se çfarë do të thotë të jesh influencues (influencer).

Sipas analizës së Captiv8, nga fillimi i vitit 2018, postimet e shoqëruara me hashtagun ‘#ad’, ‘#sp’, ‘#sponsored’, ndryshe materialet e sponsorizuara, janë mbi 200 mijë çdo muaj.

Por ajo që është më interesante është se sa mund të fitohet me një foto ose video të thjeshtë, që shoqërohet me një hashtag.

P.sh., për të reklamuar një produkt në “Youtube”, kompanitë janë të gatshme të shpenzojnë deri në 300 mijë dollarë. Tregu dominohet sot nga pushteti i rrjeteve sociale. Por pothuajse gjithçka varet nga numri i ndjekësve. Kjo është arsyeja pse shifrat me pesë zero u rezervohen vetëm pak personazheve.

Vetëm kush ka më shumë se 7 milionë ndjekës mund të ëndërrojë për shifra të tilla. Megjithatë, edhe të tjerët nuk kanë arsye të qahen. Në “Youtube”, me rreth 100 mijë të regjistruar në kanalin tënd, mund të firmosësh marrëveshje me vlerë nga 12-500 mijë dollarë.

Ndërsa për ata që kanë më shumë se 500 mijë ndjekës, shifrat mund të arrijnë deri në 25 mijë dollarë për një postim. Shifrat rriten akoma më shumë nëse kalohet pragu i 1 milionë të regjistruarve në kanalin tënd në “Youtube”.

Për ata që kanë 1-3 milionë të tillë, fitimi për një postim mund të shkojë deri në 125 mijë dollarë, ndërsa ata që kanë 3-7 milionë ndjekës, mund të fusin në xhep 180-190 mijë dollar.

Edhe në “Instagram” shifrat janë të majme. Një postim në profilin e dikujt që ka 100-500 mijë ndjekës kushton 5 mijë dollarë, ndërsa kush ka më shumë se 7 milionë ndjekës paguhet 150 mijë dollarë. Influencuesit me komunitet ndjekësish 1-3 milionë paguhen 50 mijë dollarë, ndërsa ata me 3-7 milionë ndjekës marrin 75 mijë dollarë për një postim.

Pak a shumë në të njëjtat nivele qëndrojnë edhe pagesat për postime në “Snapchat”.

Në “Facebook”, gjërat shkojnë edhe më mirë. Pionieri i rrjeteve sociale tërheq ende investime me 6 shifra. Por një postim në profilin e dikujt që ka mbi 7 milionë pëlqime në faqen e tij zyrtare, kompanitë paguajnë rreth 200 mijë dollarë.

Për ata që kanë 3-7 milionë ndjekës, një postim paguhet rreth 62 mijë dollarë, ndërsa në llogaritë me 1-3 milionë ndjekës mund të reklamosh duke paguar 12 500 dollarë për postim.

Dy rrjetet më pak të pëlqyera për marketing duket se janë Vine dhe Twitter. Në të parin, influencuesit mund të marrin maksimumi 112 500 dollarë, ndërsa në të dytin jo më shumë se 60 mijë dollarë. (TemA TV)

@tn.lajmelokale
@tetovanews