Ballina Bota Analiza ANALIZA: Trump i siguroi Kinës zgjerimin e ndikimit në Europë

ANALIZA: Trump i siguroi Kinës zgjerimin e ndikimit në Europë

Nga Erik Brattberg & Phillipe Le Corre

Ndërsa Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin, ishin të zënë në një takim të nivelit të lartë në Helsinki ditën e hënë, një takim shumë më pak i mediatizuar midis dy fuqive të tjera botërore, u mbajt në të njëjtën kohë në Pekin.

Takimi i 20-të BE-Kinë, pati ndoshta më pak vëmendje, por është ende i rëndësishëm në të drejtën e vet. Edhe pse marrëdhënia BE-Kinë, po bëhet gjithnjë e më problematike, të dyja palët ndajnë një interes për një samit që deri më tani është shenjuar nga një ton më pozitiv.

Sfondi janë sigurisht politikat tregtare proteksioniste të presidentit Trump, të cilat po godasin si Bashkimin Europian, ashtu edhe Kinën (megjithëse jo në mënyra të njëjta). Pavarësisht nga fakti se marrëdhëniet kino-europiane janë bërë më të ndërlikuara gjatë viteve të fundit, pasi zyrtarët europianë po bëhen gjithnjë e më të pakënaqur nga praktikat e padrejta ekonomike të Kinës, Pekini sheh tani një mundësi për t’u orientuar drejt një marrëdhënieje më pozitive me Europën duke kundërshtuar politikat proteksioniste të Donald Trump, si një kauzë e përbashkët.

Në fillim të samitit, udhëheqësit kinezë këmbëngulën për një deklaratë të përbashkët, që dënonte politikat tregtare të Trump, dhe sugjeronte veprime të përbashkëta të BE-së dhe Kinës, kundër Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të  Tregtisë.

Megjithëse udhëheqësit europianë do t’a pengonin në teori një hapje të tillë, Pekini tashmë po fiton terren, duke e pozicionuar veten si një mbrojtëse e tregtisë së lirë dhe multilateralizmit. Për Kinën, shtrirja në Europë i shërben një qëllimi të dyfishtë:mbrojtje kundër ndikimit shkatërrues të politikave tregtare të administratës Trump, dhe përçarjes së Perëndimit.

Ndërkohë, zyrtarët europianë, po shfrytëzojnë mundësinë për të inkurajuar Kinën që të lëvizë në drejtim të hapjes më të madhe. Kjo gjithashtu ka të bëjë me dërgimin e një mesazhi në Uashington, mbi rëndësinë e ruajtjes së tregtisë shumëpalëshe, në një kohë kur presidenti amerikan po e minon atë, dhe po i referohet BE-së si një “armike”.

Në Pekin, të dyja palët nënshkruan një komunikatë të përbashkët, që “ripohoi angazhimin e tyre ndaj multilateralizmit, dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”. Duke pasur parasysh se udhëheqësit europianë dhe kinezë, nuk arritën të bien dakord mbi një deklaratë të përbashkët në dy samitet e tyre të mëparshme, kjo shënon një përmirësim të dukshëm në marrëdhëniet e tyre.

Ndër rezultatet më të prekshme, ishte një marrëveshje për krijimin e një grupi pune për modernizimin e OBT-së, dhe rikonfirmimin e mbështetjes së tyre për Marrëveshjen e Parisit mbi klimën, dhe marrëveshjen bërthamore të Iranit. Udhëheqësit, diskutuan gjithashtu se si të nxisin aksesin në treg, të bashkëpunojnë mbi ndërlidhshmërinë, dhe të avancojnë një traktat dypalësh investimi – nëse mbi këto tema mund të arrihet një dakordësi në një periudhë afatmesme, kjo është një çështje tjetër.

Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm teksa fiksohemi shumë pas toneve pozitive të samitit. Marrëdhënia BE-Kinë mbetet sfiduese. Brukseli është i qartë, mbi mungesën e qasjes reciproke të tregut për kompanitë perëndimore në Kinë në sektorë të caktuar; roli i kompanive shtetërore dhe subvencionet e tepërta; dhe mbrojtja e dobët e IP, duke përfshirë kërkesat e pronësisë së huaj, për të inkurajuar transferimet e teknologjisë.

Ka pasur edhe sulme kibernetike kundër kompanive europiane, për t’u vjedhur sekretet e korporatave, edhe pse në këtë aspekt janë dëmtuar edhe kompanitë kineze. Për më tepër, heqja e kufizimit të 2 mandateve për presidentin Xi Jinping, përbën një potencial për një sundim autoritar më të fortë në vend, dhe vazhdimi i këmbënguljes kineze mbi ndikimin në Detin e Kinës Jugore, po e përforcon skepticizmin evropian rreth orientimit të ardhshëm të Pekinit.

Brukseli, i sheh gjithashtu si përçarëse përpjekjet e Kinës për të joshur një grup vendesh në Europën Qendrore dhe Lindore nëpërmjet Platformës 16 + 1.

Megjithatë, BE duhet ende të vendosë një strategji afatgjatë përkundrejt Kinës. Pekini është habitur nga ndjenjat spektike në rritje ndaj Kinës, në disa pjesë të Europës. Për shembull, një skemë e skanimit të investimeve po diskutohet nëpër institucionet e BE, dhe mund të miratohet që këtë vit, duke bërë që investimet kineze në sektorët strategjikë (përfshirë teknologjinë) të jenë më të vështira.

Për më tepër, ndërsa Kina nxit Nismën e Brezit dhe Rrugës, BE do të promovojë platformën e vet të ndërlidhjes, duke ofruar mundësi shtesë për vendet brenda unionit dhe në periferi të tij.

Por jo të gjitha kryeqytetet evropiane, janë në të njëjtën linjë. Disa qeveri në Europën Jugore, Qendrore dhe Veriore, përqafojnë një prani më të madhe të ekonomisë kineze.

Këto ndarje, së bashku me mosmarrëveshjen midis Uashingtonit dhe Europës mbi tarifat e tregtisë, dëmtojnë tek e fundit mundësinë e një qasjeje të përbashkët transatlantike ndaj Kinës. Në një kohë kur Kina, po e ripohon gjithnjë e më shumë veten në skenën ndërkombëtare, një agjendë e tillë është e nevojshme tani më shumë se kurrë, për të mbrojtur dhe mbështetur multilateralizmin dhe rendin e bazuar në rregulla.

Sidoqoftë, rreshtimi me Pekinin kundër Uashingtonit është një rrugë që nuk premton shumë. Ndërsa vazhdon të nxisë Kinën për të liberalizuar ekonominë e saj, Europa duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për të angazhuar administratën Trump ndaj Kinës.

Tarifat amerikane të çelikut dhe aluminit, rrezikojnë të vendosin një precedent të keq për të tjerët, dhe të minojnë sistemin multilateral të tregtisë. Por amerikanët dhe europianët, ndajnë ende vlera që ndryshojnë shumë nga ato të Kinës – si kur bëhet fjalë për të drejtat e biznesit, ashtu edhe të njeriut.

Prandaj, duhet një angazhim i fuqishëm i BE-së, që Trump të kuptojë se çelësi për të kundërshtuar praktikat e pandershme të Kinës, është mbajtja e një marrëdhënie të fortë me aleatët në BE dhe Japoni (e cila sapo nënshkroi një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare), duke qenë një partnere e besueshme, dhe duke mbështetur institucionet shumëpalëshe si OBT-ja.

Ironia është se Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të Trump, bën thirrje për një bashkëpunim më të fortë transatlantik, në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta rreth praktikave ekonomike të Kinës, ndërkohë që vetë Trump ka refuzuar sugjerimet europiane për të bashkëpunuar.

Takimi i ardhshëm i presidentit të Komisionit Europian Zhan Klod Junker në Shtëpinë e Bardhë, ofron një mundësi për të lëvizur përtej debatit mbi tarifat aktuale. / “Carnegie Europe” – Në shqip nga bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews