Ballina Lajme “ZGJIDHJA E EMRIT, ÇËSHTJE ORËSH”, BEJLI: SHBA DO TË MBËSHTET MARRËVESHJEN E...

“ZGJIDHJA E EMRIT, ÇËSHTJE ORËSH”, BEJLI: SHBA DO TË MBËSHTET MARRËVESHJEN E DYJA PALËVE (VIDEO)

Epilogu i negociatave mes Shkupit dhe Athinës, zyrtarisht vazhdon të sillet rreth tri propozimeve të ndërmjetësuesit të OKB-së Metju Nimi për parashtesat “Veriore”, “e Epërme” dhe “e Re”. Por, pas eliminimit të propozimit “Maqedonia e Ilindenit”, jo zyrtarisht mësohet se pala maqedonase po diskuton me grekët për emrin “Demokracia e Krushevës”. Zhvillimet e fundit të negociatave për emrin, zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, i vlerëson  si përparim të dukshme në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kështu ai tha pas takimit të sotshëm në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini.

“Kemi një përparim serioz dhe asnjëherë deri tani dy vendet nuk kanë qenë kaq afër zgjidhjes. Orët në vazhdim mund të jenë vendimtare për epilogun e negociatave dhe më mbanë shpresa se epilogu eventual pozitiv do të krijojë një klimë të mirë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe të kushteve për avancimin e perspektives euro-atlantike të Maqedonisë”, tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për çështje evropiane.

Nga Shkupi, ambasadori amerikan Xhes Bejli tha se SHBA-ja tanimë një kohë të gjatë i jep mbështetje Greqisë dhe Maqedonisë, lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, sipas të cilit, zgjidhja e këtij kontesti do të sjellë të mira për të dyja vendet dhe do të kontribuoj për paqe e prosperitet në tërë rajonin.

“Vazhdojnë negociatat mes të dyja vendeve me ndihmën e Kombeve të Bashkuara. Për shkak të çështjes specifike unë do iu lë të dyja vendeve të gjejnë një zgjidhje të përbashkët të pranueshme, të cilën qytetarët e presin tanimë një kohë të gjatë”, tha Xhes Bejli, ambasador i SHBA-së në Shkup.

Ndërkohë që negociatat po zhvillohen nën presionin e madh të protestave, partia opozitare greke “Demokracia e Re” kërkon prononcim publik të Ministrisë së jashtme greke rreth informacionit që nxori ish diplomati maqedonas Antonio Milloshoski, sipas të cilëve, Aleksis Cipras është gati të lidhë shtetin helen me një marrëveshje, siç thuhet, me IRJM-në.

“Qëllimi i qartë i zotërinjve Cipras dhe Kocijas është që të çojnë vendin dhe qytetarët para aktit të kryer. Edhe një herë e paralajmërojmë kryeministrin: nuk posedon legjitimitet politik për të lidhur vendin dhe do të ketë një përgjegjësi të plotë personale, nëse bie dakord me marrëveshjen për t’i dhënë fund interesave të Greqisë”, thanë nga Partia Opozitare greke “Demokracia e Re”.

Qytetarët grek të bërë bashkë me krerët e kishës ortodokse greke dhe partitë opozitare, janë kundër përdorimit të çfarëdolloj emërtimi ku përfshihet emri “Maqedoni”. Sipas vlerësimeve të mediave greke, protestat e djeshme në 24 qytetet e Greqisë “për të ruajtur karakterin grek të Maqedonisë” ishin të suksesshme. Andaj, një tjetër protestë është paralajmëruar për me 8 korrik në Athinë, tri ditë para Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet në Bruksel më 11-12 korrik.

Përgatiti: Adnan Qaili

VIDEO bonus:
Loading...