Ballina Bota Trump do të takohet me Putinin rreth mesit të korrikut

Trump do të takohet me Putinin rreth mesit të korrikut

Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini kanë rënë dakord mbi vendin dhe kohën e një samiti mes presidentit Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin. Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar rus këtë të mërkurë, pas bisedimeve të mbajtura në Moskë mes presidentit Putin dhe këshilltarit të Trumpit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.

Detajet e këtij takimi të shumëpritur do të njoftohen të enjten, tha më tej këshilltari i Kremlinit për Politikën e Jashtme, Yuri Ushakov, për reporterët e pranishëm. Takimi pritet të zhvillohet nga mesi i muajit të korrikut, kur Trumpi do të jetë në Europë për vizitat e tij të planifikuara më herët në Belgjikë dhe Britani. Takimi mes Putinit dhe Trumpit do të zhvillohet në një “vend të tretë”, shpjegon më tej Ushakov.

Më herët gjatë së mërkurës, Putini priti ngrohtësisht Boltonin në një tryezë të gjerë ovale në Kremlin, në një sallë të zbukuruar nga statujat e carëve rusë.

Putini hapi takimin duke përsëritur kundërshtinë e tij të shpeshtë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë në një gjendje mjerane, kryesisht për shkak të mjedisit të brendshëm politik në SHBA.

“Vizita juaj këtu në Moskë frymëzon shpresën se ne do të mund të ndërmarrim hapat e para për të rikthyer marrëdhëniet e plota mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Putin. “Rusia nuk ka kërkuar kurrë të konfrontohet dhe shpresoj që sot të mund të bisedojmë se çfarë mund të bëjmë nga të dyja palët, në mënyrë që të rivendosim marrëdhëniet e përbashkëta mbi bazat e barazisë dhe respektit reciprok ndaj interesave të të dyja vendeve”.

Boltoni iu kthye duke thënë se shpresonte që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të mund të gjejnë “fushat e duhura ku mund të bien dakord dhe të shënojnë progres”.

Boltoni shkoi në Moskë pikërisht përpara takimit të pritshëm mes Putinit dhe Trumpit. Ai u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Në takimin me Putinin u bashkuan edhe Lavrov, Ushakov dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders konfirmoi përmes “Twitter”-it se takimi do të diskutonte rreth një samiti të mundshëm.

@tn.lajmelokale
@tetovanews