Ballina Aktualitet Kosovë Thaçi: Dialogu me Serbinë nuk ka alternativë

Thaçi: Dialogu me Serbinë nuk ka alternativë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Ballkani Perëndimor asnjëherë nuk ka pasur rast më të mirë për të ndërtuar paqe të qëndrueshme.

Këtë mesazh, Thaçi e ka dhënë në panelin “Evropa në udhëkryq”, në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës (IEFA), që po mbahet në Montreal të Kanadasë.

“Kosova është gati për dialog, për marrëveshje, sepse vetëm kështu do të mund të lëvizim të sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe të ruajmë marrëdhënien speciale me SHBA-në dhe partneritetin me miqtë e tjerë. Vetëm një Kosovë dhe një Serbi evropiane mund të perëndimizojnë rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Ky dialog që do të fillojë në ditët apo javët e ardhshme sipas Thaçit do të jetë i vështirë.

“Nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë historik dhe është i paalternativë. Dialogu duhet të përmbyllet me një rezultat ‘win-win’ edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, sipas një marrëveshjeje me vlera e standarde evropiane”, ka thënë Thaçi.

“Edhe Kosova, edhe Serbia, aspiratë e kanë anëtarësimin në BE”, u shpreh presidenti i Kosovës, duke shtuar se “ky vullnet i njerëzve nuk mund të realizohet pa normalizim dhe pajtim në mes dy vendeve dhe popujve”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews