Ballina Suplement Arsimi Skandali në UNS, autoritetet paralajmërojnë masa

Skandali në UNS, autoritetet paralajmërojnë masa

Për herë të parë pas pothuajse një jave nga publikimi i shkeljeve dhe parregullsive eventuale në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi jep një deklaratë të zbehtë për masat eventuale nga ky dikaster. Ademi premton se pas shqyrtimit të veprimtarisë së të gjithë universiteteve, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të kompetencave të dikasterit që ai drejton.

Kam filluar një analizë të detajuar lidhur me sistemin e gjithmbarshëm arsimor përfshirë këtu edhe arsimin e lartë dhe funksionimin e institucioneve të larta arsimore. Dëshiroj t’ju siguroj juve dhe përmes jush edhe mbarë opinionin se të gjitha politikat tona si institucion, vendimet, aktet dhe aktivitetet tona do të jenë në përputhje me përpikmëri me dispozitat ligjore dhe me pritshmëritë e qytetarëve për të pasur një sistem arsimor cilësor – tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Ademi pranon se MASH ka pasur disa konteste të hapura me Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Megjithatë refuzon të japë më shumë detaje rreth shkeljeve që tashmë janë konfirmuar. Ai premton një pasqyrë më të qartë për një periudhë të shkurtër kohore.

Sa i takon të gjithë situatës që ka të bëjë edhe me Universitetin Ndërkombëtar të Strugës ju e dini se ka pasur edhe në periudhën e kaluar një sërë vendimesh dhe aktesh nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ndër vite, gjithashtu janë zhvilluar edhe procese gjyqësore, kemi epilog gjyqësor, kemi vendime gjyqësore. Kur të kemi ne dhe unë si ministër i Arsimit dhe Shkencës, informacionin e plotë lidhur me gjendjen faktike, atëherë me kohë do tu njoftojmë juve dhe mbarë opinionin lidhur me gjendjen me të cilën jemi ballafaquar.

Ka ndonjë afat kohor kur mund të presim ndonjë gjë konkrete?

Së shpejti – u përgjigj Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Ademi ka rreth një javë në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës por prej dy muajsh Alsat ka nisur një sërë pyetjesh me kërkesë zyrtare për qasje deri informatat me karakter publik, në adresë të këtij institucioni. Jozyrtarisht mësojmë se përgjigjet janë përgatitur nga Sektori i Arsimit të lartë në MASH por nuk kanë arritur akoma tek ne.

Në raportin e kësaj sektori, siç mëson Alsat, thuhet se UNS-ja në vitin 2014 ka marrë vendim të përkohshëm me afat një vjeçar për fillim me punë të ciklit të tretë studimor. Pas shfuqizimit të këtij vendimi nga vetë ministria një javë më vonë, gjykata administrative e ka kthyer përsëri atë në fuqi. Megjithatë vendimi i përkohshëm për ciklin e tretë ka qenë i vlefshëm deri në shtator të vitit 2015. Pas përfundimit të këtij afati dhe pas dy inspektimeve nga Komisionet e MASH-it në terren, është konstatuar se UNS-ja nuk i plotëson kushtet për ciklin e tretë. Kjo nënkupton se që nga shtatori i vitit 2015, cikli i tretë në këtë universitet është jashtëligjor.

Diplomat e dhëna për studentët e regjistruar në studimet e doktoraturës në vitet akademike 2015/2016, 2016/2017, 2017/2018, janë të pavlefshme. Sipas Ligjit për Arsim të lartë, ministri për Arsim dhe Shkencë është i obliguar t’i asgjësojë ato – u shprehën nga Sektori për arsim të lartë në MASH.

Të mërkurën e kaluar, dy inspektorë të arsimit, me kërcënime dhe sharje, u përzunë nga UNS-ja, gjatë vizitës për një inspektim të jashtëzakonshëm. Policia heton rastin./am/

VIDEO bonus:
Loading...