Ballina Lajme MARRËVESHJA PËR DETAJET, PASTAJ TELEFONATA, ZGJIDHJA PËR EMRIN DO TË SAKTËSOHET NË...

MARRËVESHJA PËR DETAJET, PASTAJ TELEFONATA, ZGJIDHJA PËR EMRIN DO TË SAKTËSOHET NË 10 DITËT E ARDHSHME (VIDEO)

Pasi të bëhen detajet e caktuara teknike, do të vijojë biseda telefonike mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, e cila ishte paralajmëruar për dje, por pastaj u shty. Zaevi është optimist se do të arrihet një zgjidhje para se Këshilli Evropian të vendosë nëse Maqedonisë do t’i përcaktojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

“Ditët në vijim jemi maksimalisht të përkushtuar dhe të fokusuar. Bëhet fjalë për marrëveshje, për nenet e marrëveshjeve, respektivisht për detaje që janë të rëndësishme dhe prandaj është me rëndësi që ato të dakordohen në mënyrë precize”, tha Zoran Zaev, kryeministër i RM-së.

Në qoftë se arrihet marrëveshje, mbetet plani  – e njëjta të nënshkruhet nga të dyja anët në Prespë, por paraprakisht të informohet opozita e Maqedonisë dhe ajo greke. Derisa të ndodhë kjo, Zaevi refuzon t’i komentojë shkrimet e mediave greke  – se Republika Veriore e Maqedonisë është zgjidhja më e mundshme.

“Me të vërtetë nuk do t’i komentoja detajet. E dini se jam shumë i kujdesshëm, për t’i dhënë shans marrëveshjes që të realizohet. Do t’i informojmë qytetarët, menjëherë pasi vendosim për emrat, mbiemrat dhe segmentet e tjera”, tha Zaev.

Por, surprizat janë në mundshme. Nuk përjashtohet mundësia që biseda telefonike mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, të realizohet që sot. Zëvendësi i shefit të diplomacisë greke, në një intervistë për televizionin grek “Skaj”, tha se në qoftë se në Shkup ka gatishmëri për t’i pranuar kushtet greke, atëherë mund të arrihet një marrëveshje.

“Konsideroj se marrëveshja që do të arrihet do t’i përmbajë karakteristikat që i përcakton vendi ynë – emri i përbërë, erga omnes, dhe revizion kushtetues. Marrëveshja me këto karakteristika është në interes kombëtar dhe besoj se do të përkrahet nga shumica edhe në Parlament, por edhe në shoqëri”, tha Joanis Amanatidis, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.

Derisa pushtetet janë duke e përgatitur opinionin publik për kompromisin, i cili duhet të kalojë edhe në Maqedoni, edhe në Greqi, partitë opozitare po bëhen gati për protesta. Një nga pikat e pakënaqësisë së tyre janë edhe negociatat për zgjidhjen e kontestit për emrin e vërtetë të Maqedonisë.

Përgatiti: Mihajllo Vidimlliski

VIDEO bonus:
Loading...