Ballina Aktualitet Kosovë LDK: Kuvendi i Kosovës urgjentisht të vendosë vijen e kuqe për Presidentin

LDK: Kuvendi i Kosovës urgjentisht të vendosë vijen e kuqe për Presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate ka reaguar kundër presidentit të vendit, Hashim Thaçi, ku theksohet se është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend, urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

Deklarata e LDK-së:

Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews