Ballina Bota Kriza në Berlin, ditët e fundit të Angela Merkel?

Kriza në Berlin, ditët e fundit të Angela Merkel?

Nga Jens Thurau

Si mund të përshkruhet me fjalë ajo që po ndodh në Berlin? Që kemi të bëjmë me një krizë të mirëfilltë qeveritare, kjo është e qartë. Ndoshta këto janë ditët e fundit të Angela Merkelit si kancelare, mendon Jens Thurau.

Nga Deutsche Welle

Edhe një herë për t’i përshkruar me qetësi zhvillimet politike të enjten në Berlin: Një natë të gjatë bisedojnë në kancelari kancelarja dhe ministri i Brendshëm. E megjithatë ata nuk janë në gjendje të bien dakord për një politikë të përbashkët për azilin dhe refugjatët. Më pas zhvillohen mbledhje të veçuara të grupeve parlamentare të CDU-së dhe CSU-së, e për këtë arsye ndërpritet me ngut seanca plenare e Bundestagut. Kjo është e padëgjuar ndonjëherë në raportet mes dy partive simotra. Në mbledhjen e CSU-së ministri i Brendshëm Horst Seehofer komunikon, se në rast nevoje do të ndërmarrë veprime të mëvetsishme. Por çfarë konkretisht? Në thelb ai do të mbyllë kufijtë me vendet fqinjë për azilkërkuesit. Kjo miratohet njëzëri nga CSU-ja. Secilin, që ka shkelur për herë të parë tokën europiane në një vend të BE-së, e këta janë pothuajse të gjithë refugjatët, CSU-ja nuk do ta lejojë më të hyjë në Gjermani. Se si do ta realizojë ai këtë, mbetet e hapur, por nuk qendron këtu problemi. Bëhet fjalë për Angela Merkelin dhe të ardhmen e saj si kancelare. Nëse ajo do ta lejojë një fyerje të tillë.

Merkel nuk mund ta tolerojë, që Seehofer të veprojë pa të

Merkel nuk e dëshiron një veprim të mëvetësishëm gjerman, ajo do zgjidhje me të gjithë partnerët europianë. E në radhë të parë: ajo do të mbrohen më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së, në mënyrë që kufijtë brenda bashkësisë të mund të mbeten të hapura siç janë tani. Por një zgjidhje e tillë në nivelin e BE-së ende nuk duket e afërt, dhe CSU-ja thjesht nuk do të presë më gjatë.

Çfarë opcionesh parashtrohen tani? Kancelarja ka kompetencën e direktivave në qeveri. Një term i bukur gjerman dhe i ndërlikuar, por se ç’mund të bëjë Merkel me të, kjo është e hapur. Ajo mund ta shkarkojë Horst Seehoferin, i cili për një çështje qendrore të aktivitetit qeveritar nuk përfaqëson qendrimin e saj. Një gjë e tillë do të thoshte fundi i kësaj qeverie. Por ajo edhe mund t’i nënshtrohet një mocioni votëbesimi në parlament. Gjithsesi nga do që ta sjellësh e ta kthesh: Merkel nuk mund të tolerojë që Seehoferi të veprojë pa të, sepse kësisoj kjo nuk do të ishte më qeveria e Angela Merkelit.

Larje hesapesh me sistemin Merkel

Kështu ndodh shpesh në politikë: çdo gjë që zien e gurgullon gjatë, shpërthen brenda pak çastesh apo orësh: CSU-ja në fillim ishte kundër politikës së Merkelit për refugjatët, qëkurse kancelarja më 2015 lejoi të hyjnë në vend refugjatët nga Hungaria. Prej kohësh edhe shumë politikanë të CDU-së e kanë humbur durimin, pavarësisht solidaritetit ndaj Merkelit. Në zonat e tyre elektorale deputetët përjetojnë dhe vuajnë zbehjen e mbështetjes ndaj politikës liberale për refugjatët që ndjek Merkeli. Por grindja shkon edhe përtej politikës ndaj refugjatëve: Fryma aktuale është nacional-konservatore. Të paktën janë të shumtë ata që kështu e përjetojnë. Me humbjet e pësuara prej suksesit të populistëve të djathtë të AfD-së, CSU-ja dhe pjesë të CDU-së po lajnë hesapet me Merkelin, jo vetëm me politikën e saj të azilit, por me të gjithë sistemin Merkel. Në vjeshtë në Bavari ka zgjedhje. Bllokimi i AfD-së është qëllimi prioritar i kristiansocialëve. Në rast nevoje edhe kundër Merkelit dhe qeverisë, së tyre.

A mund ta marrë sërish timonin kancelarja? Shumë e vështirë në një ditë si kjo.

@tn.lajmelokale
@tetovanews