Ballina Aktualitet Sociale Korçë, çifti i të moshuarve braktiset nga fëmijët (Video)

Korçë, çifti i të moshuarve braktiset nga fëmijët (Video)

Një çift të moshuarish në Korçë janë braktisur nga fëmijët e tyre, duke u lënë në mes të katër rrugëve. Një qytetar i ka filmuar teksa tregojnë vuajtjen që po përjetojnë. Drama e jetës së tyre të copëton zemrën, pasi sakrifikuan për rritjen e fëmijëve dhe ata në fund i lanë pa asgjë.

“Në fillim djali, pastaj çupa. Po ja të shohim për ndonjë pemë, rrimë poshtë saj, pse ku të vemi. Kemi dy ditë që endemi rrugëve dhe as policia nuk na bën derman, i kam njoftuar por asgjë.

Ushqehemi me lekët e pensionit. S’kemi shtëpi fare, na kanë nxjerrë edhe djali edhe çupa, të dy. Bashkia na tha se do na strehonte sot, por hiç asgjë. Dje fjetëm në hotel. Na dhanë nja 4-5 veta nga 1 mijë lekë, 2 mijë lekë dhe bëmë 10 mijë lekë. Por sonte jemi në krizë fare”, shprehet i moshuari.

Ai nuk i mban dot lotët me zemrën e thyer nga dy fëmijët. Azili i kishte premtuar se do t’i merrnin, por nuk i kanë kontaktuar, as policia nuk u ka ardhur në ndihmë.

Pas publikimit të lajmit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu njoftoi se për të moshuarit është gjetur një strehë.

“Që sot ka një strehë për Lumturijen dhe Fadilin, dy të moshuarit që u braktisën në mes të katër rrugëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet strukturave të saj të Shërbimit Social Shtetëror i ka mundësuar çiftit të të moshuarve strehimin në qendrën polivalente në Poliçan.
Ndërkohë po kryhet me procedurë të përshpejtuar plotësimi i dokumentacionit për vendosjen përfundimtare të dy të moshuarve në institucionet publike rezidenciale”, njofton Manastriliu.

@tn.lajmelokale
@tetovanews