Ballina Aktualitet Lajme FINALJA E KUIZIT “MENDO dhe FITO” (VIDEO+FOTO)

FINALJA E KUIZIT “MENDO dhe FITO” (VIDEO+FOTO)

Në natën e 29 të Muajit Ramazan, pas namazit të teravisë në hapësirat e kompleksit Harabati, u mbajt kuizi i organizuar nga Myftinia e Tetovës. Pjesëmarrës të këtij kuizi ishin nxënës/e që ndjekin mësim-besimin fetar në mektebet e xhamive në Tetovë dhe rrethinë. Nata finale u hap me lexim të pjesëve nga Kur’ani Kerimi.

Në emër të Myftiut të Tetovës, fjalë përshendetëse pati Kryeimami i Myftinisë së Tetovës, hafiz Ejup efendi Selmani. Në natën finale, prezent ishin përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, zotëri Ahmed Qazimi dhe përfaqësuesi i Rijasetit të BFI-së, Dr. Muaz efendi Agushi. Komisioni i natës finale ishte: Zejni Mazllami- ligjërues universitar, Ismet Tairi- hoxhë dhe Suad Demiri- arsimtar i lendës Etika e religjioneve.

Moderator i kuizit ishte Blendi Imeri, student i Fakultetit të Shkencave Islame- Shkup. Në natën finale pati lexim Kur’ani, këndim të ilahive dhe poezi, të interpretuar nga nxënësit e mektebeve të xhamisë së fshatit Kallnik, fshatit Reçicë dhe xhamisë Muaremçe. Pas gjashtë rubrikave, vendi i katërt i takoi nxënëses Sara Rustemi (Reçicë e Madhe) me 33 pikë, vendi i tretë, nxenësit Naron Bekteshi (Gajre) me 42 pikë, vendi i dytë, nxenëses Fatjona Taipi (Tearcë) me 44 pikë, kurse fituese e kuizit të sivjetëm ishte nxënësja Bora Ramadani (xhamia e Rinisë) me 52 pikë.

Për finalistët pati shpërblime, kurse për pjesëmarrësit dhe sponzorët pati çertifikata. Kuizi u ndoq me interesim të madh nga qindra besimtarë dhe besimtare nga Tetova me rrethinë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews