Ballina Bota Emigracioni ilegal, Trump bën thirrje për deportime pa procese

Emigracioni ilegal, Trump bën thirrje për deportime pa procese

Presidenti i SHBA Donald Trump ka bërë thirrje për dëbime të shpejta që anashkalojnë çdo proces gjyqësor në një twitim të dielën, shkruan BBC.

“Kur dikush të hyjë, ne duhet menjëherë, pa gjyqtarë apo procese gjyqësore, t’i kthejmë nga vendi ku kanë ardhur,” shkroi Trump.

Komentet e tij vijnë disa ditë pasi Z. Trump ndryshoi një politikë për të ndarë fëmijët emigrantë nga prindërit e tyre pas një reagimi të ashpër brenda dhe jashtë vendit.

Më shumë se 2,300 fëmijë u ndanë nga prindërit e tyre në maj dhe qershor.

Që nga maji, të gjithë migrantët që kalojnë kufirin e SHBA në mënyrë të paligjshme përballen me ndjekjen penale nën politikën e “tolerancës zero”.

Presidenti nuk bëri dallimin midis emigrantëve ekonomikë dhe atyre që kërkonin azil.

Z. Trump është ballafaquar me kritika, duke përfshirë edhe nga Partia e tij Republikane, për zgjedhjen e gjuhës që përdori në Twitter.

Kur ai më parë tha se emigrantët kërcënonin “të derdhnin dhe të infektonin vendin tonë”, kongresmeni republikan Ileana Ros-Lehtinen u kthye tek ai duke thënë se “retorika e pabazë” e tij ishte “e pështirë” dhe i bëri jo njerëzorë ata që kërkonin një jetë më të mirë.

Zyrtarët amerikanë të emigracionit thonë se 2,342 fëmijë janë ndarë nga 2,206 prindër nga 5 maji deri më 9 qershor.

Më 20 qershor, z. Trump u tërhoq nga mbështetja e tij për politikën dhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i dha fund praktikës së ndarjes së familjeve.

Ai tha në atë kohë: “Nuk më pëlqente që familjet të ndaheshin.”

Direktiva e Trump lejon ndalimin afatgjatë të fëmijëve të emigrantëve (megjithëse me prindërit e tyre), gjë që shkel ligjin federal që kufizon ndalimin e fëmijëve deri në 20 ditë./am/