Ballina Bota Analiza ANALIZA: “Standardi jetësor i kosovarëve vazhdon të jetë nën mesatare”

ANALIZA: “Standardi jetësor i kosovarëve vazhdon të jetë nën mesatare”

Nga Bashkim Kastrati

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë standard të mirë të jetës. Ky standard i jetesës vazhdon të mbetet nën mesatare dhe larg vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2017, konsumi i përgjithshëm në Kosovë ishte 2,340 milionë euro, ndërsa për një ekonomi familjare 7,803 euro, si dhe për kokë banori 1,511 euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja, konsumi i përgjithshëm në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, ka një rritje të lehtë prej 0.8 për qind, ndërsa konsumi për ekonomi familjare dhe për kokë banori ka një rritje nga 3.5 për qind.

“Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2017 është shpenzuar në ushqim dhe banim, 40 për qind për ushqim dhe 29 për qind për banim, të konsumit të përgjithshëm.

Pasojnë shpenzimet për transport dhe veshmbathje me nga 5 për qind dhe nga 4 për qind për mobiliet, alkool dhe duhan”, thuhet ndër të tjera në raportin e ASK-së.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja e inflacionit që nuk po shoqërohet edhe me rritje të pagave, sidomos në sektorin privat, po e zvogëlon fuqinë blerëse të konsumatorëve, e rrjedhimisht kjo e ulë standardin jetësor.

Në Kosovë nuk përcillet inflacioni edhe me ngritjen e pagave, prandaj ekziston një disproporcion i madh ndërmjet pagave dhe fuqisë reale blerëse të konsumatorët. Kemi çmimet shumë të larta me nivelin e pagave.

Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë janë pagat nga sektori privat dhe ai publik, pastaj të hyrat nga bizneset vetanake, nga pensionet, si dhe nga remitencat. Këto të fundit janë një “infuzion” i fuqishëm për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Ndikimi i drejtpërdrejtë i remitencave vërehet sidomos gjatë verës, kur edhe mërgimtarët vijnë t’i kalojnë pushimet në Kosovë.

Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve, ku në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar. Në vit, vlera e remitencave arrin shumën e rreth 600 milionë euro.

Por duhet theksuar se papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Nga më shumë se 500 mijë qytetarë të Kosovës aktiv për punë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të punësuar janë më rreth 350 mijë persona.

Mesatarja e pagës në Kosovë është rreth 500 euro. Derisa, shkalla e papunësisë konsiderohet se është 30.5 për qind. (tesheshi)

@tn.lajmelokale
@tetovanews