Ballina Bota Analiza ANALIZA: Pajtim apo njohje mes Kosovës dhe Serbisë?

ANALIZA: Pajtim apo njohje mes Kosovës dhe Serbisë?

Pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një nga frazat shpesh të përdorura nga liderë e përfaqësues politikë.

Por, për analistët politikë, pajtimi nënkuptohet më shumë si një çështje teknike, duke potencuar se relaksimi i raporteve dhe njohjet reciproke mes të dyja shteteve, do ishin fillimisht forma më e mirë dhe më normale që një ditë do të rezultonte edhe më atë që po cilësohet si pajtim.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë, mund të shihet si një çështje teknike, por edhe çështje e ngritur emocionale.

Sipas tij, zhvillimi i marrëdhënieve normale nënkupton njohjen reciproke dhe nënkupton pranimin, i cili në fakt do të nënkuptonte një lloj pajtimi.

“Por nëse mendohet pajtimi sepse dikush e pranon fajin për gjerat që kanë ndodhur në Kosovë dhe një çështje morale e cila ngritet mbi politike atëherë është çështje tjetër. Përndryshe në kategorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare sot është vendosja e marrëdhënieve diplomatike njohja reciproke dhe bashkëpunimi sipas konventave ndërkombëtare dhe sipas marrëveshjeve bilaterale”, tha Tahiri .

Luftërat dhe konfliktet, kanë si pasojë viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale, çka ndodhi edhe me rastin e Kosovës dhe Serbisë.

Ramush Tahiri thotë se çfarëdo pajtimi, nuk do të duhej të nënkuptonte edhe amnistinë për ata që kanë kryer krime lufte. Ndjekja e këtyre personave, vijon ai, mund të bëhet edhe pas fazës së njohjes eventuale reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se si kategori nuk ka nevojë për pajtim ndërmjet popullit serb dhe popullit shqiptar sepse nuk janë të armiqësuar dhe nuk janë të nivelit të barabartë sa i përket asaj që ka ndodhur në Kosovë. Ndërsa Serbia dhe Kosova duhet t’i zhvillojnë marrëdhëniet normale dhe të respektojnë kushtetutat dhe ligjet e veta. Kurse krimet që kanë ndodhur, kompensimet për krime do të thotë dënimet duhet të kryhen në bazë të ligjeve në fuqi dhe në bazë të konventave dhe standardeve ndërkombëtare”, tha Tahiri .

Ndërkohë, edhe Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se pajtimi i plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vjen vetëm në momentin kur dy shtetet do ta njohin njëra tjetrën. por, ajo thotë po ashtu se pajtimi i vërtetë mund të ndodh kur Serbia do të kërkojë falje për krimet e luftës.

“Pajtimi i plotë vjen kur Serbia do të kujdesej për sanimin e dëmeve të luftës dhe kur do të zbardhej fati i 1500 të pagjeturve dhe do të vihej drejtësi për 20 mijë gratë e dhunuara. Pajtimi do të ndodhte kur marrëveshjet e Brukselit do të zbatoheshin dhe kur shkëmbimi ekonomik, politik e akademik do të ishte në nivel të shtuar. Kësi soji edhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë do të ishin më mirë. Ky do të ishte bazament i duhur për pajtim të plotë ndërmjet palëve”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkaq, politologu Tahiri thekson se për të pasur një rezultat në procesin e dialogut, faktori ndërkombëtar duhet t’i bej presion shteti serb, në të kundërtën arritja e një pajtimi mund të zgjas shumë.

“Nëse behet një presion në Serbi e që në fakt nuk po bëhet edhe nëse Kosova insiston në sovranitetin e saj dhe në reciprociteti kjo është e mundshme sepse alternativ tjetër nuk ka. Por, nëse Serbisë i lihet një status special mbi çështjen e Kosovës, ndërsa Kosova shkon jo si subjekt i barabart në bisedime ose në takime ndërkombëtare, atëherë kjo do të zgjasë me vite të tëra e ndoshta edhe me 10 vjet”, tha Tahiri.

Kurse, Jeta Krasniqi vlerëson se është kohë e fundit për të dyja shtet që të arrijnë marrëveshje dhe që përmbyllin të gjitha çështjet e hapura në procesin e dialogut.

“Them se është treni i fundit për të dyja shtete që të dakordohen dhe të arrin një marrëveshje më anë të secilës behet njohja formale reciproke dhe vihen bazamentet për të ndërtuar pastaj edhe paqen. Patjetër dëmshpërblimi, kërkimfalja, krimet e luftës, suksesioni duhet të jenë pjesë e marrëveshjes dhe më pas Kosova dhe Serbia angazhohen për ndërtimin e një lloji tjetër të marrëdhënieve”, deklaroi Krasniqi.

Arritja e një marrëveshje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveç zgjidhjes së problemeve ndërmjet dy vendeve, do ta lehtësonte edhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Analistët thonë se si Kosova po ashtu edhe Serbia, janë të vetëdijshme se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve do të duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme./rel/

@tn.lajmelokale
@tetovanews