Ballina Kronika 35-vjeçari shqiptar, viktima e 78 në Londër që prej fillimit të vitit

35-vjeçari shqiptar, viktima e 78 në Londër që prej fillimit të vitit

Dhuna dhe vrasjet në rrugët e kryeqytetit britanik të frymëzuara nga serialet?

Bandat e drogës po kopjojnë gangsterat nga filmat amerikanë, si The Wire, ndërsa dhuna në rrugët e Londrës po del jashtë kontrollit.

Frika, që ka filluar të ndihet kryesisht nga ata që jetojnë në kryeqytetin britanik, vjen pasi autoritetet nisën hetimet për vrasjen e një 35-vjeçari shqiptar, përgjatë fundjavës.

Edmond Jonuzi u godit me thikë në veri të Londrës, mbrëmjen e së shtunës. Ai u gjet i pajetë pranë stacionit të metrosë Turnpike Lane, pasi u sulmua me thikë në një park aty pranë, rreth orës 21:30.

Vrasja e tij, që sipas të përditshmes britanike The Sun, dyshohet të ketë ardhur për shkak të një borxhi që lidhet me pazaret e drogës, e çon numrin e viktimave në kryeqytetin britanik në 78 për këtë vit.

Një banor i zonës tha se gangsterët po rekrutojnë anëtarë të rinj në mes të ditës, të cilët e fshehin kanabisin nëpër shtyllat e dritave në rrugë dhe bahçet e shtëpive të fqinjëve të tij.

“Është padyshim një rrjet shumë i organizuar. Mendoj se shumë gjëra i kopjojnë nga The Wire”, tha ai.

The Wire është një serial i HBO, që fokusohet në trafikun e drogës dhe vrasjet në West Baltimore, Maryland. Ky serial tejet popullor njihet për profilizimin e detajuar që i bën trafikut të drogës dhe mënyra sesi funksionon kjo perandori.

Banorët thonë se anëtarët kryesorë të bandës që po vepron në rrugët e Londrës, janë rreth 10 persona.

“Sado që dëshiroj të jem dashamirës ndaj policisë, mjafton të qëndrosh këtu vetëm 2 minuta dhe mund të shohësh sesi funksionon ky rrjet. Nuk ka konkurrencë, është e gjitha një bandë. I sheh teksa dalin nga metroja dhe hipin në autobus”, tha një banor.

Policia ka zhvilluar kontrolle pranë skenës së krimit në Turnpike Lane, duke fotografuar zonën dhe duke mbledhur provat.

Hetuesit besojnë se Jonuzi u godit gjatë një përplasje mes dy grupe meshkujsh.

Sipas detektivit Garry Moncrieff, 35-vjeçari u godit pikërisht gjatë kësaj përplasjeje dhe humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ai sqaroi se familjarët e shqiptarit janë njoftuar ndërsa priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.

Vrasja e tij vjen në një kohë kur të hënën Londra u përball me një seri të përgjakshme sulmesh, që la 3 të plagosur me thikë në vetëm pak orë. Në mesin e tyre ishte edhe një 17-vjeçar, i cili po lufton për jetën në spital./tvklan.al

Loading...