Ballina Bota Vrasja e gazetares në Maltë, Gjermania do drejtojë hetimet

Vrasja e gazetares në Maltë, Gjermania do drejtojë hetimet

Dy laptopë dhe tri disqe me të dhëna të gazetares Daphne Caruana Galizia, janë tani – sipas të dhënave të mediave gjermane – në duart e Zyrës për Hetimin e Krimeve (BKA). Familja e gazetares së vrarë para një viti nuk ka dashur që këto të dhëna t’ua japë hetuesve nga Malta, sepse Caruana Galizia nuk kishte besim tek policia lokale.

Kështu njoftojnë gazetat “Süddeutsche Zeitung” dhe “Zeit”, të cilat janë pjesë e hulumtimeve në “Projektin Daphne”, që i kushtohet vrasjes së gazetares nga Malta. BKA i tha Deutsche Welles se aktualisht nuk ka ndonjë qëndrim rreth kësaj vrasjeje.

A ka të dhëna interesante në kompjuterë?

Në kompjuterë gjenden të gjitha hulumtimet dhe shkëmbimi i letrave të gazetares së vrarë. Të dhënat konsiderehen si shumë interesante dhe këtu mund të ketë ndoshta edhe indicie për motivet e vrasjes së saj. Gazetarja kritike ndaj qeverisë u vra më 16 tetor 2017, me një autobombë në Maltë. Vrasja e saj shkaktoi indinjatë të thellë në mbarë botën.

53-vjeçarja ka zbuluar shumë afera korruptive në Maltë. Ajo ka hulumtuar ndër tjera edhe të dhënat për “Panama Papers”, të drejtuara ndër tjera edhe kundër kryeministrit socialdemokrat Joseph Muscat dhe gruas së tij.

Familja ka frikë nga humbja e të dhënave

Bashkëshorti dhe djemtë e Caruana Galizias kanë frikë se policia e Maltës mund t’i zhdukë dëshmitë që zbardhin vrasjen dhe motivet e vrasjes së gazetares. Ata kanë frikë se hetuesia e Maltës mund ta kompromentojë gazetaren. Ndaj kanë vendosur që të dhënat të dërgohen në Gjermani, sepse kanë besim tek autoritetet gjermane se nuk do të zhdukin asnjë dëshmi.

Prokuroria në Wiesbaden e ka njoftuar prokurorin e rastit në Maltë se mund t’u jepet një kopje e të dhënave, njofton gazeta “Zeit Online”. Gjykatësi nga Malta Aaaron Bugeja është njoftuar po ashtu për përmbajtjen e të dhënave në kompjuterë.

Hetuesit nga Malta kanë mundur të shikojnë deri tani vetëm një herë kompjuterët me të dhënat e gazetares deri në vitin 2015. Nëpunësit gjermanë i kanë thënë “Süddeutsche Zeitung”, se nuk përjashtohet mundësia që autoritetet e Maltës të kërkojnë edhe të dhëna të tjera nga kompjuterët.

@tn.lajmelokale
@tetovanews