Ballina Aktualitet Kosovë ”Thirrjet e Nënave”, Presidentit Thaçi: Si mund ta shtrini dorën e pajtimit...

”Thirrjet e Nënave”, Presidentit Thaçi: Si mund ta shtrini dorën e pajtimit pa u zgjidhur fati i të pagjeturve?

Shoqata ”Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, po e kundërshton idenë për pajtim me Serbinë – marrëveshje kjo, obligative siç ka deklaruar Presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Në një reagim të kësaj organizate joqeveritare, thuhet se një marrëveshje e tillë është e papranueshme pa u zgjidhur fati i të pagjeturve, njofton Klan Kosova.

Ja letra e plotë:

”LETËR E HAPUR, PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z. HASHIM THAÇI

PRESIDENT SI MUND TA SHTRINË DORËN E PAJTIMIT ENDE PA U ZGJIDHUR FATI I TË PAGJETURËVE

Si mund ta shtrinë dorën e pajtimit para se të zbulohen kriminelët që kryen krime në Kosovë?

Z. President, ju lutem dilni njëherë e vizitojeni Kosovën cep më cep dhe me përkujdesje e ndjenja njerëzore shikojeni tokën e mbushur me varre, të njerëzve të pafajshëm që janë vrarë nga dora e kriminelëve serbë!

Në tryezën e pajtimit duhet të thërrasësh njerëz nga familjet që janë dëmtuar e jo njerëz që qëllimet e tyre janë vetëm projektet për përfitime personale, atyre që nuk ndjejnë dhembje, që nuk kanë ndjenja shpirtërore!

Vizito familjet që i kanë fëmijët, bashkëshortët, prindërit e vrarë e të  zhdukur. Vizito fëmijët bonjakë!

Kërko me ngulm nga Vuçiqi që ti kthej trupat e mijëra shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur nga varrezat masive në Serbi!

Z. President,e keni formuar një grup të vogël e të dëgjueshëm, të cilët që moti nuk na përfaqësojnë neve! Ata që po i shëtisni nëpër dreka e darka, por ata mund të flasin vetëm për vete, sepse familjarët tonë që mungojnë nuk këmbehen me dreka e darka!

Ne kërkojmë të na kthehen familjarët tonë të zhdukur, kërkojmë që të dalin kriminelët serbë para drejtësisë dhe të na paguhen dëmet e luftës!

Askush as nga shteti e as nga pushteti nuk ka të drejtë të zgjatë dorën e pajtimit në emër të më të dashurve tonë!

Mos na lëndoni zemrat edhe ashtu të lënduara sepse gjaku i tyre ju vret!

Ne, familjarët që moti e  kemi kuptuar që të vrarët dhe të zhdukurit, ju i konsideroni vetëm numra dhe jo si njerëz, por mos harroni se të gjithë ata janë shqiptarë që me gjakun e tyre sollën lirinë, të cilën vetëm ju po e gëzoni!”

@tn.lajmelokale
@tetovanews