Ballina Bota Tetë gra akuzojnë aktorin Morgan Freeman per ngacmime seksuale

Tetë gra akuzojnë aktorin Morgan Freeman per ngacmime seksuale

Një tjetër emër i njohur i spektaklit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë protagonist i skandalit më të ri seksual që po trondit Hollivudin. Aktori i njohur, fitues i çmimit Oskar, Morgan Frimen, akuzohet për ngacmime seksuale nga tetë gra.

Një skandal i ri trondit botën e spektaklit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktori Morgan Frimen është akuzuar për ngacmime seksuale nga tetë gra. Lajmi konfirmohet nga CNN, që citon dhe deklaratat e viktimave të tij, të cilat pretendojnë se këto raste kanë ndodhur në sheshin e xhirimit të filmit “Të dyshuarit e papritur” në vitin 2017, si dhe gjatë xhirimeve të filmit “Tani ti më sheh mua” në vitin 2013.

Përveç tetë grave, të tjera kanë konfirmuar për CNN se kanë qenë të pranishme në rastet kur Frimen ka ngacmuar dikë seksualisht. Të gjitha rastet kanë ndodhur në vende publike ku ka pasur shumë dëshmitarë e madje ndonjëherë dhe kamera.

Mes dëshmive, është dhe ajo e një asistenteje produksioni të cilës aktori i ka bërë vazhdimisht komente për pamjen e jashtme si dhe masazhe e prekje të papërshtatshme.

Për momentin aktori dhe stafi i tij nuk janë përgjigjur kërkesave të CNN për të komentuar akuzat.

Morgan Frimen prej kohësh është një prej personaliteteve më me ndikim në komunitetin afroamerikan. Përvec se një aktor i profilit të lartë, ai ka fituar çmimin Oskar si aktori më i mirë jo protagonist në filmin “Vogëlushja një million dollarëshe”, si dhe është kandiduar dhe katër herë të tjera për disa nga interpretimet e tij më të famshme në filma si “Një shëtitje me Deizin”, “Krahët e Lirisë “, dhe “I pamposhturi “. /abcnews.al/

@tn.lajmelokale
@tetovanews