Ballina Aktualitet Lajme Tahiri e pranon edhe vetë: Jo se unë jam ëngjëll, njeri jam...

Tahiri e pranon edhe vetë: Jo se unë jam ëngjëll, njeri jam dhe bëj gabime

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë sot në koferencë shtypi para medias nga Kryesia e Kuvendit duke akuzuar gjithë klasën politike pse i është kundërvënë me akuza dhe duke shpjeguar arsyen pse ai ka heshtur 6 muaj për akuzat që i janë bërë. Në fund, Tahiri ka deklaruar vendimin e tij: dorëzimin e mandatit të deputetit për t’u përballur me drejtësinë.

” Jo se unë jam ëngjëll në fakt, njeri jam dhe bëj gabime, – tha Tahiri, – por kur gjyqin ma bën ajo racë që ka vjedhur dhe nuk është ndëshkuar, unë nuk e pranoj. Mua më kanë thënë se më ka mbrojtur imuniteti, më ka mbrojtur mazhoranca, më ka mbrojtur Edi Rama, e kam thënë se nuk dua të më mbrojë asnjë. E kanë thënë se këto më paskan mbrojtur mua nga burgu. Tani dëgjoj se unë po pengokam edhe integrimin e Shqipërisë. Po e pengokam unë!

Unë nuk kam qënë kurrë dhe as jam si këta. Nuk fshihem dhe as rri në parlament për të marrë rrogën kot, as për të kapur tendera apo lekë dhe as për të kapur paprekshmëri dhe jo më pastaj që rrugën për në Evropë ta pengoj unë.

Unë kam 6 muaj që hesht për akuzat jashtë çdo imagjinate nga këta palaço politike që nuk lenë ekran pa pështyrë çdo të enjte. Unë kam 8 vjet në qeveri dhe më duket sikur kam 80 me tërë këto akuza aq shumë kam dëgjuar.

Kur shoh këta që kërkojnë falje në kurriz të popullit….është shumë pak ç’kanë shpifur për mua me atë që kanë bërë në 20 e ca vjet.

Këta të vrasin natën dhe të qajnë natën. Hajduti flet për ndershmëri…të gjithë flasin për drejtësi. Unë kam dëgjuar 6 muaj duke mos folur për të respektuar drejtësinë. Kjo është arsyeja.

Unë akuzohem për trafikant, kjo është akuza. Unë drejtësinë do ta pres në gjykatë. Po kur gjyqin publik ma bëjnë këta….

Më akuzon Lulzim Basha, këllëfi më qesharak në politikën shqiptare që ka vrarë 4 vetë në bulevard dhe akuzohet për 200 mijë euro vjedhje.

Mua më akuzon Sali Berisha, që e ka bërë gojën çorap me shpifje dhe janë të akuzuar për vrasje, shpifje, vjedhje. E kanë rrënuar Shqipërinë..

Më akuzon Monika dhe Iliri, që Zoti e di se nga t’i kapësh se nuk ka ujë të shenjtë që i lan.

Unë do të përballem me drejtësinë, po këta që akuzohen e shesin dëngla?! Si ia hodhën drejtësisë?! Duke vrarë hajdutin?! Duke akuzuar të tjerët për gjëra që kanë bërë vetë, duke blerë gjykatës dhe kanë blerë rehatin, drejtësinë, duke mbyllur gojë, duke blerë heshtje?!

Heshtja ime sot duket si kurriz i përkulur. Por kush e ka marrë për frikë e dorëzim….Unë as jam dorëzuar dhe as kam ndër mend ta bëj.”

Këta që kanë qeverisur 25 vjet dhe nuk kanë lënë cep të Shqipërisë pa vjedhur e shkatërruar e po e pengoj unë integrimin…Nuk e kam fajin unë. Shqiptarët nuk do të marrin as rrogë dhe as pension, por këto rrogat e pensionet që nuk shkojnë as sa një shishe vere e këtyre që janë sondo t’i marrin këtu.

Le t’ua paguajnë sot, se nuk ua kam fajin unë. Ata që sot qajnë për Europën dhe 25 vite e përdhunuan Shqipërinë

Tani për Vetingun e policëve të shkretë që ç’nuk kanë parë në 30 vite. Pse nuk e filluan nga vetja Vetingut, nga politika? Unë pranoj të gjykohem dhe kjo është kaluar çdo Vetingu. Ambasadorët lart e poshtë flasin për banda.

Unë kam duruar 6 muaj dhe do duroj edhe aq sa duhet që të dalë e vërteta në dritë dhe pikërisht pse nuk jam si këta raca e këtyre në parlament për pazar e shpëtim.

Unë sot e dorëzoj mandatin tim të deputetit, nuk do të jem deputet po qytetar i thjeshtë si mijëra të tjerë në këtë vend me të drejtën time, me familjen time, njerëzit e mi, ata që më besojnë, do të përballen me drejtësinë siç do të përballem me palaçot në politikë që sot shesin dëngla. Këtu jam e këtu do jem, përballë jush, do t’i shkoj deri në fund.

@tn.lajmelokale
@tetovanews