Ballina Teknologji STUDIMI: Ja si po ndikon teknologjia informative tek të rinjtë

STUDIMI: Ja si po ndikon teknologjia informative tek të rinjtë

Nga Bashkim Kastrati

Pajisjet e teknologjisë informative përdoren shumë nga të rinjtë në komunën e Prishtinës, ata përdorin mesatarisht nga tri pajisje të ndryshme.

Pothuajse secili nga ta përdor telefon të mençur dhe kompjuter ose laptop. Pajisjet më të përdorura janë telefonat e mençur, pasuar nga kompjuterët ose laptopët.

Intervali kohor prej orës 20 deri në 24 është koha kur pajisjet e teknologjisë informative përdoren më së shumti nga të rinjtë, gjatë këtij intervali pak më shumë se tre të katërtat e tyre janë duke përdorur ndonjërën nga këto pajisje.

Interval tjetër i ngarkuar është në mes orës 16 deri në 20. Gjatë kësaj kohe, më shumë se gjysma e të rinjve janë duke e përdorur ndonjërën nga këto pajisje.

Këto janë disa nga gjetjet e një hulumtimi empirik të realizuar në qytetin e Prishtinës nga Instituti Kosovar për Studime Sociale “Gnosis”.

Ky projekt hulumtues ka pasur për qëllim të hulumtojë ndikimin që ka përdorimi i pajisjeve të teknologjisë informative në jetën sociale dhe në karrierën profesionale të të rinjve në komunën e Prishtinës.

Është përdorur metodologjia kuantitative, janë plotësuar 450 pyetësorë. Të dhënat kryesisht janë analizuar në nivel deskriptiv.

Me qëllim të kuptimit më të hollësishëm të fenomenit, janë bërë një numër i konsiderueshëm i kryqëzimevenë mes variablave të ndryshme.

Sipas këtij hulumtimi, të rinjtë i përdorin pajisjet e teknologjisë informative mesatarisht për pesë deri në gjashtë qëllime të ndryshme. Dy të tretat e të anketuarve i përdorin këto pajisje për të shikuar filma, dokumentarë dhe emisione të ngjashme televizive.

“Përafërsisht kaq i përdorin edhe për tu informuar lidhur me ngjarje kulturore, artistike e argëtuese. Edhe komunikimi me familjarët përmes rrjeteve sociale është mjaft i përhapur, gati gjysma e të rinjve i përdorin për këtë qëllim”, thuhet ndër të tjera në raport.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se të rinjtë me sukses mesatar në shkollë apo fakultet i përdorin më shpesh këto pajisje për komunikim përmes rrjeteve sociale për të bërë miq të rinj, kurse ata me suksese të shkëlqyeshëm ose shumë të mirë në shkollë apo fakultet i përdorin më shpesh këto pajisje për lajme, informim për hobi apo interesime personale, si dhe për të shikuar filma, dokumentare apo programe të ngjashme televizive.

Të rinjtë e komunës së Prishtinë përdorin gjerësisht rrjetet e ndryshme sociale për t’u lidhur dhe komunikuar me shokët, miqtë, familjarët e të njohurit e tyre. Të rinjtë e përdorin më së shumti viberin për komunikim.

“Kur janë pyetur se si ndikon përdorimi i teknologjisë informative në gjendjen e tyre emocionale, pak më shumë se gjysma e të anketuarve përgjigjen se ajo ka ndikim, qoftë pozitiv apo negativ, kurse me pak se gjysma përgjigjen se ajo nuk ka ndonjë ndikim.

Nga mesi i atyre që përgjigjen se teknologjia ua ndikon gjendjen emocionale, gjysma shprehen se i qetëson, kurse gjysma tjetër shprehen se ajo u shkakton shqetësim, nervozë apo stres”, thuhet në raport.

Në bazë të rezultateve të dala nga anketimi, përgjithësisht mund të thuhet së ndikimi është më i madh te gjinia mashkullore sesa te ajo femërore.

Studentët shprehen më shpesh se përdorimi teknologjisë u shkakton shqetësim, nervozë ose stres, krahasuar me nxënësit që janë duke ndjekur shkollimin e mesëm të ulët, të mesëm të lartë si dhe ata që janë duke ndjekur studime universitare në nivelin master ose doktoratë.

Përdorimi i kësaj teknologjie ka ndikim pozitiv qetësues, pothuajse njësoj tek të rinjtë e tri grupmoshave.

Të rinjtë që kanë sukses mesatar shumë më shpesh shprehen se përdorimi i pajisjeve të teknologjisë ka efekt negativ në gjendjen e tyre emocionale, duke u shkaktuar atyre shqetësim, nervozë ose stres.

Duket se koha e kaluar duke përdorur pajisje të teknologjisë informative nuk ka ndonjë lidhje me ndikimin e tyre në gjendjen emocionale të përdoruesve.

Duke marrë parasysh të gjeturat e dala nga hulumtimi në terren dhe analizimi i të dhënave, raporti jep edhe disa rekomandime.

“Për shkak se përdorimi i pajisjeve të teknologjisë informative ka ndikim të madh në jetën sociale dhe profesionale të të rinjve, të edukohen dhe përkrahen ata lidhur me vetëdisiplinën në përdorimin e tyre, sidomos për kohën që e shpenzojnë në rrjete sociale dhe aplikacione komunikimi”, është njëri nga rekomandimet.

Rekomandimi tjetër thotë se duhet të gjenden mënyra që përmes institucioneve akademike, institucioneve qeveritare (p.sh. Qendrave për Punë Sociale), organizatave joqeveritare apo ndonjë organizimi tjetër vullnetar tu ofrohet përkrahje profesionale atyre të rinjve të ilët janë duke kaluar në ndonjë fazë të vështirë emocionale për shkak të ndonjë përmbajtjeje online (komunikimit me ‘miqtë’ përmes aplikacioneve, postimeve në rrjete sociale apo të ngjashme). (tesheshi)

@tn.lajmelokale
@tetovanews