Ballina Bota Si të shpëtosh demokracinë, kur nuk ka punë

Si të shpëtosh demokracinë, kur nuk ka punë

Nëse një model nuk funksionon, është më mirë të përpiqesh ta ndreqësh, apo të blesh një të ri? Në fushën e teknologjisë, gjithnjë e më shpesh përgjigja është të blihet një i ri. Dyqanet e specializuara në riparimin e kompjuterëve janë duke u zhdukur. Nëse laptopi nuk funksionon, më mirë hiqeni qafe. Por ajo që është e mirë për teknologjinë, nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme për politikën.

Modeli politik i demokracisë perëndimore, i rritur krah për krah dhe më pas brenda ekonomisë kapitaliste, është prishur. Dëshmia e parë për ta mbështetur këtë tezë është padyshim Donald Trump, por ka të tjerë.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, një e treta e votuesve francezë votuan për Marine Le Pen, një fashiste e “ripastruar”. Në zgjedhjet gjermane në shtator, një e teta e elektoratit votoi për “Alternative für Deutschland” (AFD, Alternativa për Gjermaninë), një parti, krahu më ekstrem i të cilës, është haptazi neo-nazist, dhe tani udhëheq opozitën në Bundestag, parlamentin gjerman. Muajin e kaluar, në Itali, të dy partitë që morën rezultatet më të mira në zgjedhje, udhëhiqen nga agjitatorë populistë. Për të mos përmendur Brexit në Mbretërinë e Bashkuar. Temat që dominonin retorikën populiste ishin racizmi, nacionalizmi, armiqësia ndaj imigrantëve dhe punësimi.

Papunësia masive

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump nuk fliste në thelb për ndonjë gjë tjetër: emigrantët vjedhin vendet e punës, sipërmarrësit amerikanë, paladinët e tregut të lirë, eksportojnë vendet e punës, të huajt po i vjedhin mëngjeset Amerikës. Poshtë tregu i lirë! Amerika e parë! Etj, etj. (një sqarim i vogël: Donald Trump nuk është republikan, Donald Trump është populist).

Trump nuk di shumë, por një gjë e di me siguri: jetojmë në një epokë të shënuar nga papunësia masive dhe askush nuk duket se e ka vënë re. Siç vuri në dukje Presidenti i SHBA, të nesërmen e fitores së tij në primaret në Neë Hampshire, në shkurt të vitit 2016, “mos i besoni shifrave të rreme që po ju ofrojnë. Ata flasin për papunësinë në 4.9 ose 5 përqind. Përqindja e vërtetë është ndoshta 28, 29 ose 35 përqind. Kohët e fundit kam dëgjuar rreth 42 për qind”.

Papunësia nuk është sigurisht 42 përqind, por as edhe 4.1 përqind (të dhënat zyrtare aktuale në Shtetet e Bashkuara). Sipas “Njerëz pa punë”, e Nicholas Eberstadt, shkalla reale e papunësisë midis meshkujve amerikanë në moshë pune të plotë (24-55 vjeç), duke përfshirë të gjithë ata që nuk llogariten për shkak se kanë pushuar së kërkuari një punë, është 17 përqind.

Pse nuk e kemi vënë re? Për shkak se të papunët nuk protestojnë në rrugë, sikurse kanë bërë gjatë depresionit të madh të viteve 1930, edhe nëse shkalla e papunësisë i afrohet këtyre niveleve. Pas Luftës së Dytë Botërore, të gjitha demokracitë ndërtuan shtetet e mirëqenies sociale, kryesisht për të parandaluar një gjeneratë të ardhshme të populistëve radikalë, që të merrnin pushtetin, në rast të një faze të re të papunësisë në masë.

Kjo ka funksionuar, në kuptimin që këtë herë nuk ka gjak në rrugë. Por miliona të papunë janë të zemëruar, edhe nëse ndihma sociale i parandalon që të vdesin urie. Ata janë njerëz që votojnë dhe – nëse nuk bëni diçka për të zbutur zemërimin e tyre – herën tjetër ata mund të zgjedhin dikë që do ta bëjë Trumpin të duket si politikan i madh.

Prandaj, problemi është papunësia. Por përgjigja nuk është e qartë, sepse shkaku kryesor i papunësisë në vendet perëndimore nuk është imigrimi apo zhvendosja e vendeve të punës, siç thotë Trump. Shkaku kryesor është kompjuteri.

Një e treta e vendeve të punës në sektorin amerikan të prodhimit janë zhdukur gjatë njëzet viteve të fundit dhe shumica e tyre (85 përqind), janë shkatërruar nga automatizimi. Algoritmet dhe makineritë tashmë kanë vrarë Rust Belt (ish-shtetet industriale) dhe është e arsyeshme të mendosh se gjysma e punëve të tanishme do të automatizohen gjatë njëzet viteve të ardhshme.

Si do të shfaqet politika në atë moment? Ndoshta jo shumë demokratike, përveç se, nëse gjendet një zgjidhje për të reduktuar zemërimin e të papunëve. Kjo nuk nënkupton vetëm dhënien e më shumë parave për ata që nuk punojnë (me një zgjerim të madh të shtetit të mirëqenies), por gjithashtu të gjendet një mënyrë për të fshirë turpin, që lidhet me mungesën e një pune, sepse zemërimin e prodhon vetëm poshtërimi i të konsideruarit humbës.

Problemi i duhur

Propozimi kryesor që po shqyrtohet aktualisht është ai i të ardhurave bazë universale, ose të ardhurat e nënshtetësisë. Me futjen e tij, çdo qytetar do të merrte para të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet, pavarësisht nëse ka një punë, edhe nëse shumica e njerëzve do të vazhdonin të punonin për të fituar më shumë para. Futja e këtyre të ardhurave universale nënkupton zhdukjen e turpit dhe zemërimit. Do të ishte një e drejtë që në lindje, jo një gjest dashurie ndaj atyre që humbën punën.

Në praktikë mund të mos funksionojë, por së paku adreson problemin e duhur. Përveç kësaj, ka mjaft para për të ndjekur këtë qasje.

Cilado qoftë zgjidhja, ajo duhet të plotësojë dy kritere: të vendosë para në xhepin e atyre që nuk punojnë (që është në interes të pronarëve dhe menaxherëve, modeli i biznesit i të cilëve nuk mund të funksionojë, nëse konsumatorët nuk kanë para për të shpenzuar, për të blerë produkte dhe shërbime) dhe ta bëjë atë pa krijuar poshtërim, pakënaqësi dhe radikalizëm.

Disa mund të argumentojnë se në këtë mënyrë, kapitalizmi ruhet, nuk shkatërrohet. Është e vërtetë, por evolucioni është gjithmonë më i mirë se revolucioni. Riparimi i një modeli të prishur, në thelb nëpërmjet një zgjerimi të madh të shtetit të mirëqenies, sigurisht që është më mirë se ta hedhësh poshtë atë. / Internazionale – Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews