Ballina Aktualitet Lajme Sali Berisha paralajmëron trazira: Të shtunën ia tregojmë vendin Edi Ramës

Sali Berisha paralajmëron trazira: Të shtunën ia tregojmë vendin Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë në “ABC News” tha se më 26 maj ka revoltë. “Dëshiroj që revolta të ndajë Shqipërinë nga e keqja, vendi është pranë një konflikti, nëse ti u heq qytetarëve edhe shpresën më të fundit që është drejtësia, atëherë rruga e vetme është revolta dhe përballja.

Nëse ti i shemb garantin e Kushtetutës, atëherë qytetarët nuk duhet të ikin por duhet të qëndrojnë në këtë vend dhe të përballen dhe të hedhin kalbësirën”, tha Berisha. Ish-Kryeministri tha se opozita del në shesh për t’i treguar vendin Edi Ramës dhe për të zgjidhur këtë krizë.

“Edi Rama ka sjellë krizën më të rëndë të 27 viteve, Edi Rama duhet t’i hapë rrugën vendit për zgjidhje politike, që janë zgjedhjet e parakohshme”, tha Berisha.

Sipas tij, pasi të shembet perandoria e drogës, pasi të shemben shtyllat e narko-shtetit, atëherë qytetarët shqiptarë do të votojnë të lirë dhe PD duhet të përgatitet të ofrojë alternativën e saj qeverisëse.

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se PD ka për objektiv për të kryer integrimin e Shqipërisë në BE.

“PD asgjë në botë nuk e tërheq atë nga lufta pa kompromis dhe dhëmb për dhëmbë me krimin dhe pushtetarët e lidhur me krimin. Atëherë po i them Edi Ramës bëju gati për atë që meriton”, tha Berisha.

“Duke konstatuar këtë gjendje dramatike, gjendja është buzë katastrofës. Situata është në prag konflikti dhe prag konflikti më shumë se çdo gjë tjetër e ka çuar reforma në drejtësi. Ky vend sot është i vetmi vend që Kushtetutën e ka për tokë, sepse kjo Kushtetutë ka përcaktuar si garant të saj Gjykatën Kushtetuese”, tha Berisha.

Sipas tij, nuk ka qytetarë shqiptarë që mund të kërkojë një të drejtë në këtë vend, askush nuk i mbron të drejtat e qytetarëve përballë abuzimit.

“Çdo ligj që mund të miratojë Edi Rama, askush nuk nuk e rrëzon dot. Çdo ligj që dhunon Kushtetutën, askush nuk mund ta prekë më. Populli ka pushuar së folur me referendumin dhe kjo ishte një vepër kriminale, puç kundër vendit me shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha Berisha.

Sipas tij, as pushtuesit nuk do e bënin këtë, dhe kjo po bëhet vetëm me një qëllim që kryekushtetues të shpallet Edi Rama.

“Ishin 3 vende vakante, mund të zëvendësosheshin ata me një veting, nuk shkrihet Gjykata Kushtetuese. Kur u reformua Gjykata Kushtetuese, atëherë duhej të parashikohej kjo situatë, duhej të ishin emëruar 3 vakantët, të bëhej Vetting pa cënuar kuorumin”, tha Berisha, duke e cilësuar atë që ka ndodhur si puç anti-Kushtetues.

Berisha tha se edhe ata që mashtruan dy vitet e fundit shqiptarët, sot fshihen si minj. “Edi Rama me platformën e Soros të Reformës në Drejtësi na duhej që të bëhej kryegjykatës dhe kryeprokuror. Ke një raport të Freedom House që thotë se Arta Marku është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Këtë maskaradë që u bë në Shqipëri do ua faktojmë të gjithë Botës”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj mbrëmë deklarimeve të Edi Ramës dhe Taulant Ballës, sipas të cilëve me 613 kg kokainë kanë lidhje me kupolën e PD-së.

“Pronari i firmës i përket një familjeje që ka qenë kundërshtare e Sali Berishës. i Ati i tij ka krijuar Partinë Komuniste pas viteve ’90, xhaxhai i tij ka qenë kryetar i PS-së së Tropojës. Tani çfarë tha Edi Rama dy javë më parë? Rama tha se do të shihni ju se kush nuk e hetoi drogën? Dhe çfarë bëri shkarkoi Besim Hajdarmatajn, ndërkohë që dosjen e kishte Olsi Çela, njeriu më i dashur i Ramës, dhe pavarësisht kësaj ai nuk e kishte mbyllur dosjen”, theksoi Berisha.

Prokuroria si kurrë më parë është vegël e Edi Ramës. Kështu u shpreh ish-Kryeministri Sali Berisha, duke shtuar se Saimir Tahiri duhej të ishte atje ku e ka vendin, jo të bënte pushime në shtëpi.

“Thonë që kanë ardhur të dhëna shumë më të tmerrshme, por Tahiri nuk shkon atje ku duhej të ishte, pasi Rama është peng i tij”, tha Berisha. Berisha tha se prokuroria sot është në dorën e Kryeministrit Edi Rama si kurrë më parë, është shndërruar në vegël të tij, i cili në anën tjetër është shndërruar në vegël të krimit dhe drogës.

Ish-Kryeministri Sali Berisha u pyet lidhur me ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, ndërsa tha se u tentua që Sajmir Tahiri të zëvendësohej me Llallën, u tentua që të zëvendësohej peshku i madh. “Asnjë prokuror tjetër nuk ka kërkuar më shumë heqje imunitetesh dhe nuk ka hetuar më shumë ministra se Llalla. Deri tani kam dëgjuar për Llallën se ka blerë dhe shitur tokë, por blerje dhe shitje ka me mijëra që kanë bërë. Nëse akuzohet se ka pastruar para, atëherë le të dënohet në shkallën më të rëndë, nëse i ka bërë, por u tentua që të shpëtohej Tahiri dhe të dënohej Llalla. Çdo njeri që ka shkelur ligjin të dënohet, por nuk jam për gjah shtrigash”, tha Berisha.

@tn.lajmelokale
@tetovanews