Ballina Kronika Programi i kulturës i bllokuar në procedura

Programi i kulturës i bllokuar në procedura

SHPËRNDAJE

Shpërndarja e kontratave ka nisur me ritme më të përshpejtuara vetëm javën e fundit dhe nuk dihet se kur do të përfundojë, sidomos në disa prej komisioneve, si Muzika, Folklori, Botimet.., ku numri i ankesave dhe i shqyrtimeve është më i madh

Evis HALILI

Shkup, 17 maj – Programi vjetor i Ministrisë së Kulturës prej më shumë se tre muajsh akoma është i bllokuar në procedurat e nënshkrimit të kontratave dhe verifikimit të ankesave, edhe pse një pjesë e projekteve kanë filluar të realizohen. Shpërndarja e kontratave për aplikantët që ka nisur me ritme më të përshpejtuara vetëm javën e fundit dhe nuk dihet se kur do të përfundojë, sidomos në disa prej komisioneve si Muzika, Folklori, Botimet.., ku numri i ankesave dhe i shqyrtimeve është më i madh, shkruan gazeta KOHA. Në disa prej tyre numërohen mbi 100 të tilla, shifra që mund të shtohen deri në fund të këtij muaji. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me rishikimin e fondit të ndarë nga Ministria e Kulturës dhe në një numër më të vogël janë ankesat për projektet e refuzuara.

Në disa komisione ku ka pasur edhe numër më të vogël ankesash, shqyrtimet kanë përfunduar, si Drama, Bashkëpunimi Ndërkombëtar e të tjera. Nga Ministria e Kulturës bëjnë me dije se volumi i punës dhe i projekteve të paraqitura në konkursin e këtij viti ka qenë i madh, mbi pesë mijë, duke krijuar konfuzion si në shpërndarjen e vendimeve për të gjithë ata që morën pjesë, por edhe në realizimin e projekteve të prapambetura nga viti i kaluar. Nga kabineti i ministrit nuk kanë ndonjë datë të përafërt lidhur me përfundimin e këtij procesi.

“Programi vjetor është në procedurë, vazhdon puna në komisione për shqyrtimin e ankesave, shpërndarjen dhe nënshkrimin e kontratave për projektet fituese”, thotë për KOHA këshilltari Petrit Saraçini. Sipas tij, vonesat përligjen me numrin e madh të projekteve që morën pjesë në konkurrim dhe shpërndarjen e vendimeve në momente të ndryshme kohore, por edhe gati një muaj pas shpalljes së rezultateve.

Vonesa fillimisht u shkaktua pasi Ministria e Kulturës u desh që të verifikojë një sërë parregullsish që u hasën në disa projekte që ishin pjesë e listës fituese, dhe të deklaronte tërheqjen e dhjetë projekteve fituese pas konstatimit të konfliktit të interesave, buxhetit të përqendruar në shoqata, individë, e të tjera.

Në Programin vjetor 2018, projektet për kulturën shqiptare do të financohen me një fond prej 170 milionë denarë, që do të thotë 25 për qind e buxhetit të përgjithshëm. Por shifra do të ndryshojë pas tërheqjes së disa projekteve dhe korrektimeve në shumat e ndara për disa të tjera. Në konkursin e këtij viti që u shpall në muajin shtator (30 shtator-15 nëntor) të vitit të kaluar janë dorëzuar 5018 aplikime, prej të cilave u miratuan më shumë se gjysma.

Sektorët me numrin më të madh të projekteve këtë vit ishin ato të Artit figurativ, Muzikës, Folklorit dhe Dramës, me një rritje prej 25 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Si risi e këtij viti gjatë shpalljes së rezultateve ishin publikimi i emrave të anëtarëve të komisioneve, së bashku me shumat e kërkuara për realizimin e projekteve dhe atyre të miratuara nga komisionet përkatëse të të gjitha projekteve fituese, si edhe një veprimtari e re, për projekte interdisiplinare. (koha.mk)