Ballina Top Lajm Profesoresha nga Madridi: Spanja më radikale ndaj Kosovës se Serbia

Profesoresha nga Madridi: Spanja më radikale ndaj Kosovës se Serbia

Para se të fillojë pjesa zyrtare e Samitit të Sofjes mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy do të largohet nga Bullgaria. Arsyeja? Ai nuk dëshiron të jetë në një tavolinë me politikanët e Kosovës. Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimi i këtij vendi është bërë edhe më i ashpër me thellimin e krizës në Kataloni muajve të fundit.

Në një kronikë të radios publike gjermane theksohet se Ballkani nuk luan ndonjë rol në Spanjë. Politologia Ruth Ferrero-Turrión nga Universiteti Complutense i Madridit thotë se i vjen keq për këtë. Ajo tregon se tërë jetën e saj akademike ia ka kushtuar Europës Juglindore, andaj thotë se është e pikëlluar që rajoni është zhdukur nga vetëdija e opinionit publik spanjoll dhe nga politika spanjolle.

«Ky qëndrim i ngurtë i Spanjës nuk është fort i mençur. Pavarësia e Kosovës është si pasta e dhëmbëve – nuk mund të kthehet pas prej nga ka dalë. Ne jemi më pak fleksibël se Rusia apo Serbia. Madje edhe vetë Serbia mban lidhje diplomatike dhe ekonomike me Kosovën. Ndërsa diplomatët tanë nuk guxojnë as të përshëndesin një koleg nga Kosova nëse e takojnë rastësisht në kafe», thotë Ferrero-Turrión. Kjo shkencëtare tregon se ka qenë e detyruar të anulojë një kongres në Spanjë me kolegët nga Kosova.

Sipas Ferrero-Turrión qëndrimi i Spanjës nuk ka qenë përherë kaq i ngurtë sa i përket Kosovës. «Europianët kanë diskutuar shumë kohë para vitit 2008 se si t’ia bëjnë me Kosovën. Qeveria e kryeministrit Zapatero ishte fleksible, ajo dëshironte të pranonte procesin e pavarësisë. Por paralelisht me këtë në Spanjë filloi një debat mbi autonominë katalonase. Partia Popullore (e kryeministrit të tanishëm Mariano Rajoy) më 2006 iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me padi kundër statutit të ri për Kataloninë dhe qëndrimi i qeverisë spanjolle ndryshoi në mënyrë radikale».

Profesoresha Ruth Ferrero-Turrión thotë se frika e konservatorëve nga ballkanizimi i Spanjës është e pabazë. «Ne në Spanjë nuk kemi as rrethana të ngjashme gjeografike, as politike. Spanja mund të ketë problemet e veta, por ajo është shtet juridik, një demokraci. Jugosllavia nuk ka qenë e tillë». Ferrero-Turrión thotë se qëndrimi i qeverisë spanjolle është radikal, madje më radikal se ai i Serbisë, Greqisë apo Qipros. Këto shtete i kanë parasysh interesat e veta. «Qeveria e Spanjës nuk ka çfarë të fitojë në Ballkan, por as të humbë. Këtu nuk vijnë refugjatë të varfër nga rajoni, nuk ka investime spanjolle atje, nuk ka lidhje kulturore, as rrezik sigurie. Por po ashtu s’ka asgjë që do të ndryshonte qëndrimin spanjoll». (dp)

@tn.lajmelokale
@tetovanews