Ballina Bota Një vit pas bllokadës, Katari nuk njeh krizë

Një vit pas bllokadës, Katari nuk njeh krizë

Nga Jack Torrance-The Telegraph

Ka kaluar gati një vit që nga vendosja e bllokadës ndaj Katarit nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti. Por si po e përballon Katari këtë situatë?

Nëse ka vërtet krizë, ajo nuk vërehet as gjatë fluturimit për në Douha, as përgjatë muajit të Ramazanit në të cilin shumë dyqane dhe restorante janë të mbyllura orëve të ditës. Por rrugët e gadishullit të vogël, shihen të mbushura plot me vetura të fuqishme 4×4, të cilat transportojnë katarianët mes zyrave me ajër të kondicionuar, shtëpive luksoze dhe aeroportit të ri vezullues.

Nëse e sheh Dohan nga majat e rrokaqiejve të saj, do të dallosh shpejt peisazhin e rërës të mbushur me ndërtime urbane moderne plot me njerëz, që do të thotë se edhe vetë Emiri i vendit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani duhet ta ndjejë zhurmën e kantiereve të mëdha që punojnë në një distancë sa hedhja e një guri nga një prej banesave të tij të preferuara në Doha.

E gjithë kjo po ndodh në Katar pavarësisht bllokadës dhe sanksioneve të vendosura nga fqinjët e tij të fuqishëm, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, nën pretekstin e akuzave të ndryshme.

Bllokada që u vendos papritmas Qershorin e kaluar, ishte gjithëpërfshirëse nga toka, deti dhe ajri në të njëjtën kohë. Mes kompanive të prekura më rëndë në Katar për shkak të bllokadës është dhe Qatar Airways.

Qatar Airways, në pronësi të shtetit, ka gëzuar tashmë një rritje më të shpejtë se konkurrentët e saj në rajon si Etihad Airways dhe Fly Emirates. Por bllokada e ka detyruar Qatar Airways të pezullojë fluturimet në 19 destinacione, dhe fluturimet e tjera në rajon kanë një kosto shumë më të lartë, sepse avionët janë të detyruar të ndjekin rrugë më të gjata për të shmangur hapësirën ajrore të vendeve të bllokadës, duke bërë që të konsumojnë karburant shtesë.

Me vështirësitë e bllokadës nuk ballafaqohen vetëm kompanitë vendase, por edhe ato të huaja.

Megjithatë, bllokada e ka bërë Katarin të marrë në konsideratë realizimin e vetë-mjaftueshmërisë. Një shembull është dhe importi i 10.000 lopëve për të prodhuar në vend produktet e qumështit, që më parë importoheshin nga Arabia Saudite.

Katari nuk ka probleme papunësie dhe ia doli ta përballojë krizën falë rezervave të tij të mëdha të naftës dhe gazit, të cilat vazhdojnë të rrjedhin duke i siguruar vendit dhjetëra miliarda çdo vit.

Ajo që ndihmon Katarin në këtë drejtim, është fakti se partnerët më të mëdhenj të eksportit nuk janë fqinjët e tij, por vendet si Japonia, Korea e Jugut, Kina dhe India, kërkesat e lëndëve petrokimike nga Katari të të cilave, nuk kanë dhënë ndonjë shenjë rënie.

Nga masat e ndryshme të ndërmarra nga Katari për ti bërë ballë bllokadës, ëshë edhe pompimi nga Fondi Sovran – i cili vlerësohet të ketë një pasuri prej më shumë se treqind miliardë dollarë – i 38 miliardë dollarëve në ekonominë e vendit gjatë muajve të parë të bllokadës.

Kupa e Botës Qatar 2022

Pyetja kryesore për shumë njerëz është nëse bllokada do të ndalet në kohë për Katarin, që të organizojë WORLD FIFA CUP “Qatar 2022”?!

Katari është duke investuar miliarda dollarë për përgatitjet e Botërorit, jo vetëm për stadiume të teknologjisë së lartë dhe me ajër të kondicionuar, por edhe për projekte madhore infrastrukturore, si metroja dhe trami ri, zgjerimi I aeroportit, dhe ndërtimi i qytetit Lusail që është një qytet krejt i ri.

I vendosur në veri të Dohas, me kosto ndërtimi prej rreth 45 miliard dollarë, qyteti Lusail do të jetë shtëpia e stadiumit me të njëjtin emër “Lusail”, në të cilin do të mbahet ndeshja finale e Kupës së Botës 2022.

Sa i përket mundësisë së përfundimit të bllokadës, nuk duket se ka gjasa të ndodhë në një kohë të afërt. Madje Arabia Saudite po merr në konsideratë mundësinë e gërmimit të një kanali që do ta transformonte gadishullin e Katarit në një ishull të rrethuar nga të gjitha anët prej ujit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews