Ballina Aktualitet Lajme Nis seanca e Apelit për masën e sigurisë, për Saimir Tahirin

Nis seanca e Apelit për masën e sigurisë, për Saimir Tahirin

Në Shqipëri, nisi sot seanca në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, për masën e sigurisë ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit dy javë më parë, Gjykata e Shkallës së parë kishte konfirmuar mësën e arrestit në shtëpi. Ndaj zotit Tahiri Prokuroria ka ngritur akuzën për “Trafikim të narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Seanca e sotme vjen pas ankimit të bërë si nga zoti Tahiri ashtu dhe nga Prokuroria. Ish ministri i Brendshëm, kërkon që t’i hiqet arresti në shtëpi pasi siç u shpreh pas vendimit të mëparshëm avokati i tij mbrojtës Maksim Haxhia “ ish ministri gjatë gjithë kësaj kohe ka dëshmuar se nuk i shmanget drejtësisë dhe se ai vetë ka dhënë vullnetarisht dorëheqjen nga mandati deputetit”.

Nga ana e saj Prokuroria kërkon arrestin me burg për zotin Tahiri. Gjatë seancës në Gjyatën e Shkallës së parë, prokurorët e çështjes deklaruan se kanë prova të reja që dëshmojnë për lidhjet e zotit Tahiri me vëllezërit Habilaj dhe grupin e tyre i cili u godit në Itali, tetorin e shkuar. Prokurorët thanë se disponojnë fakte se Tahiri ka qenë në shoqërinë e Habilajve e madje se është ndërhyrë dhe në sistemin TIMS, të policisë që rregjistron hyrje daljet nga vendi, për të fshirë lëvizjet e Moisi Habilajt, një prej të arrestuarve në Itali.

Mbrëmë ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi për portalin e informacionit “Balkanëeb” se “kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve”. Ai i bëri “thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, theksoi ambasadori amerikan.

Duke komentuar deklaratën e zoti Lu, avokati i zotit Tahiri tha sot se mesazhi i tij “ishte shumë i rëndësishëm që gjykata të gjykojë në prova dhe ligj, dhe nëse ndodh kështu Tahirit sot duhet t’i hiqet masa e arrestit në shtëpi”.

Hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm, nisën tetorin e shkuar, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet u hapën menjëherë pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me shpejtësi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Në fillim të muajit maj, zoti Tahiri dha dorëheqjen si deputet duke dorëzuar mandatin parlamentar, ndërsa deklaroi se dëshironte të hetohej e gjykohej si një qytetar i thjeshtë pa mburojë politike.

@tn.lajmelokale
@tetovanews