Ballina Bota Kim Jong-un ndalet për të dytën herë në Kinë

Kim Jong-un ndalet për të dytën herë në Kinë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është takuar me homologun e tij kinez, Xi Jinping në qytetin verilindor kinez të Dalianit, në një vizitë të panjoftuar më parë dyditore, nga e hëna e deri më sot.

Lajmi njoftohet nga media shtetërore kineze. Kjo është hera e dytë që dy udhëheqësit takohen në më pak se dy muaj, pasi zhvilluan gjithashtu një takim sekret në kryeqytetin kinez, Pekin, në fund të marsit.

Ai i marsit shënoi edhe herën e parë që Kim ndërmerrte një udhëtim jashtë vendit, që prej marrjes së pushtetit në vitin 2011, pas vdekjes së të atit, e u pa gjerësisht si një sinjal ngrohjeje marrëdhëniesh mes dy aleatëve të “grindshëm”.

Takimi i kësaj jave vjen pas një samiti historik në fund të prillit mes Kim Jong-un dhe homologut koreano-jugor, Moon Jae-in, e përpara bisedimeve të shumëpritura mes Kimit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, që pritet të ndodhë në fund të këtij muaji, ose fillim të qershorit./TCH/

@tn.lajmelokale
@tetovanews