Ballina Aktualitet Lajme Emri, Greqia topin e zgjidhjes e hedh në Maqedoni

Emri, Greqia topin e zgjidhjes e hedh në Maqedoni

Edhe takimi i sotëm mes kryediplomatëve, Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias për çështjen e emrit përfundoi pa ndonjë epilog konkret. Pala greke ia hedh topin Shkupit që të bëjë hapin e nevojshëm për arritjen e marrëveshjes, me pretendimin se pala greke tashmë ka bërë të gjitha lëshimet që mund të bënte.

Kishim guxim të sillnim kompromisin tonë. Tani ata duhet ta sjellin kompromisin e tyre, për shoqërinë e tyre dhe t’i bëjnë hapat e radhës. Mendoj se janë njerëz të vullnetit të mirë dhe janë të gatshëm të demonstrojnë lidership politik dhe dua të jem optimist. Ata e kanë përvojën e marrëveshjes që e arritën me Bullgarinë, pas së cilës marrëveshje mund të priten punë të mira. Historia duhet të jetë mësues e jo burg, andaj të shpresojmë se nuk do të kthehemi sërish në burg – deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë .

I pyetur nëse janë tejkaluar dallimet rreth ndryshimeve kushtetuese që kërkonin, Kocias tha se po të kishte ndodhur një gjë e tillë do të ishte duke festuar. Ndërkaq Dimitrov tha se janë analizuar kombinimet e mundshme se si të tejkalohen dallimet në fjalë dhe se mbetet që të njëjtat të shqyrtohen edhe në vend.

Dallime akoma ka. Mbrëmë dhe sot kemi shqyrtuar kombinime që njëra dhe pala tjetër mund t’i pranojnë. Kjo është puna jonë. Duhet për këto elemente të bisedojmë edhe në shtëpi dhe të shohim nëse në mënyrë më profitabile do të mund ta shfrytëzojmë takimin e ardhshëm – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë .

Kocias përjashton mundësinë që çështja të zgjidhet deri në maj ashtu siç priste Shkupi zyrtar.

Do më vinte mirë sikur deri në fund të qershorit t’i përfundonim negociatat tona të gjata pozitivisht. Ministrat e jashtëm janë këtu për t’i zgjidhur problemet dhe për t’i lënë hapësirë kryeministrave të takohen dhe ta kompletojnë marrëveshjen – u shpreh Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Dimitrov gjithsesi thekson se nëse arrihet zgjidhje dypalëshe, procedurat tjera ndërkombëtare janë të thjeshta.

Nëse arrijmë të gjejmë zgjidhje, me gjasë do të jetë i mjaftueshëm raporti i ndërmjetësit, që është përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me të cilën do të informohet Këshilli i Sigurimit se dy palët vlerësojnë se kanë arritur ta tejkalojnë dallimin. Me këtë do të mbyllet juridikisht procesi në OKB – theksoi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Dy kryediplomatët do të takohen sërish javën e ardhshme, nën ndërmjetësimin e diplomatit të OKB-së, Metju Nimic./am/

@tn.lajmelokale
@tetovanews