Ballina Aktualitet Lajme Ekspertët: Zgjidhja e emrit, në fazën përfundimtare

Ekspertët: Zgjidhja e emrit, në fazën përfundimtare

Akoma nuk dihet se në çfarë formati dhe kur do të vazhdojnë bisedimet për çështjen e emrit në Bruksel.

Nga Ministria e Jashtme vetëm konfirmojnë se ministri, Nikolla Dimitrov në Bruksel do të jetë të hënën dhe të martën për takim pune me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Sipas mediave greke, pritet që e hëna të sjellë vazhdimin e bisedimeve për emrin, ndërsa jozyrtarisht raportojnë se në negociatat dyditore në Nju Jork qëndrimet e palëve janë afruar për propozimin “Republika e Maqedonisë Veriore”, por se mbetet të gjendet zgjidhje për erga omnes.

Ndërkohë ekspertët vlerësojnë se negociatat janë në fazën përfundimtare. Profesori, Llazar Llazarov beson se kontesti do të zgjidhet deri në qershor me një nga propozimet me përcaktues gjeografik.

Shpresëdhënëse është mes tjerash takimi i ministrave të jashtëm me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, që dëshmon se çështja ka kaluar në nivelin më të lartë të mundshëm.

Buteresh nuk është personalitet i rastësishëm. Ai është Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Pasi negociatat udhëhiqen në kuadër të OKB-së dhe ndërmjetës është Nimici, ndikimi i Butereshit është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe pres që problemi të zgjidhet pozitivisht.

Tani ngushtohet hapësira në “Maqedoninë e Epërme”, “Maqedoninë Veriore” ose “Maqedoninë e Vardarit”. “Maqedonia e Ilindenit” ishte propozim i palës bullgare, disa madje këtë e komentojnë si kurth që të mos zgjidhej problemi – tha Llazar Llazarov, Profesor

Ish ambasadori, Gjorgji Filipov vlerëson se më e rëndësishme është të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme sesa një zgjidhje e shpejtuar, se palët do të duhet fillimisht të arrijnë konsensus brenda vendeve dhe jo të dalin me zgjidhje të papranueshme siç ishte rasti me propozimin “Maqedonia e Ilindenit” e cila ashtu siç u shfaq edhe u zhduk përnjëherësh.

Të dy palët duhet më shumë të punojnë në terrenin e brendshëm fillimisht, edhe pala maqedonase edhe ajo greke.

Në terrenin e brendshëm t’i harmonizojnë qëndrimet para se nga jashtë të dalin me propozime se si do të jetë zgjidhja.

Pritet ndonjë marrëveshje por assesi të gjendet një zgjidhje që do t’i kënaq të dy palët, pasi të dy palët mendojnë se duhet vetëm të fitojnë.

Në këto dhe në të gjitha negociatat nuk ekzistojnë vetëm fitore, patjetër të llogarisin në humbje. Vetëm atëherë do të mbarojnë negociatat – u shpreh Gjorgji Filipov, Ish ambasador.

Pas takimeve dyditore në Nju Jork, ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic deklaroi se çështjet janë definuar mirë por se akoma nuk ka marrëveshje përfundimtare.

Gjithsesi ai theksoi se palët janë të vendosura ta zgjidhin kontestin, duke i mbrojtur interesat e tyre kombëtare./am/

@tn.lajmelokale
@tetovanews