Ballina Argëtim Jetë & Stil Celulari , mik dhe armik

Celulari , mik dhe armik

Ndjenja e nervozizmit, stresit, ankthit, dëshpërimit, vetmisë, irritimit, dhe madje edhe panikut që shpesh ndodh kur ndaheni nga celulari janë tregues të simptomave që vërtetojnë se ju jeni i varur nga ky mjet.

Ndonëse celularët janë një mjet i dobishëm edhe për lidhjet shoqërore, edhe për të bërë biznes, për shumë punonjës këto pajisje disa herë mund të duken më shumë si pranga, sesa si miq. Kjo, pasi i bën të jenë gjithnjë të lidhur pas zyrës. Një sondazh zbuloi se 80 për qind e punonjësve të reklamave dhe 60 për qind e punonjësve të ndërtimit, gjatë gjithë kohës ndihen nën presionin për t’iu përgjigjur menjëherë si pronarit, ashtu edhe klientëve. Presioni që ndiejnë njerëzit për t’iu përgjigjur një telefonate në celular pavarësisht se ku janë ose çfarë janë duke bërë në ato momente, po krijon, siç e quan dhe një nga studiuesit, një «kulturë ndërprerjesh». Si kundërpërgjigje, inxhinierët kanë shpikur një material ndërtimi për t’u përdorur në restorante dhe teatro, që pengon valët sinjalizuese të celularëve.

Më shumë sesa vetëm të krijojnë ndërhyrje të mërzitshme, këto pajisje, që t’i zë syri ngado, kanë fuqinë që të transformohen në një armik publik. Nga një studim kanadez, u zbulua se përdorimi i celularit ndërkohë që ngitni makinën, është po aq i rrezikshëm sa edhe të ngitni makinën kur keni pirë. Profesori Mark Stivenson, i Qendrës Kërkimore të Dëmtimeve në Universitetin e Australisë Perëndimore, shpjegon se të flasësh në telefon është shumë më e ndërlikuar sesa thjesht të flasësh me një tjetër në makinë.

Kjo është e rrezikshme dhe në disa vende policia i gjobit shoferët që përdorin celularin gjatë kohës që i japin makinës. Megjithatë nga një sondazh i kohëve të fundit, u zbulua se 1 në 5 shoferë australianë kanë dërguar SMS dhe një e treta kanë bërë ose kanë marrë telefonata në celular ndërkohë që ngitnin makinën.

Rreziqet e përdorimit të papërshtatshëm të celularit ekzistojnë edhe gjatë udhëtimit me aeroplan. Edhe pse sistemi elektrik në aeroplanët më të fundit është i mbrojtur nga valët sinjalizuese të celularit, thuhet se disa aeroplanë më të vjetër që janë ende në përdorim, ndikohen nga ndërhyrjet e valëve.

Revista New Scientist raporton: «Në provën që u bë në bordin e dy avionëve, Autoriteti i Aviacionit Civil britanik [CAA] konfirmoi se rrezatimi i celularëve ndërhyn te pajisjet elektronike, të cilat kanë një rol kritik për një fluturim të sigurt.» Duke identifikuar rrezikun domethënës që përbëjnë këta telefona, një zëdhënës i CAA-së tha: «Një celular, sa më larg të jetë nga stacioni bazë, aq më shumë rrezaton fuqi. Pra, kur një avion ngrihet në fluturim, valët e celularit rriten në fuqi, duke rritur kështu nivelin e ndërhyrjes në momentin më të rëndësishëm të fluturimit.» Nga një studim australian u zbulua se pajisjet elektronike personale, duke përfshirë këtu edhe celularët, shkaktuan shumë aksidente. Kjo ndodhi tek avionët e linjave që patën probleme gjatë fluturimit, pasi pasagjerët shpërfillën paralajmërimet për t’i fikur këto aparate kur ishin në bordin e avionit.

Por si mund ta shmangim këtë mjet që është bërë aq i domosdoshëm në jetën tonë?

Nuk është rruga e duhur flakja e celularëve apo mbyllja e llogarive në rrjetet sociale. Teknologjia mund të mos jetë “e ligë” në vetvete, por përdorimi i saj nga ne mund t’i kalojë kufijtë e së mirës. Neve thjesht na duhet t’i përdorim pajisjet me më shumë përgjegjësi.

Duhet të kërkoni balancën mes përdorimit të teknologjisë dhe përqendrimit në jetën tuaj të përditshme, pasi kjo mund të ndikojë negativisht në aktivitetet që bëni dhe në mendimet tuaja.

@tn.lajmelokale
@tetovanews